Akuzat për shpërndarje mielli, Tavo kallëzon për shpifje portalin e Roland Bejkos

Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo ka depozituar në Prokurorinë e Gjirokastrës një padi për shpifje ndaj nje portal lokal, që ai i konsideron si mbulesë për partitë politike. Portal i vogël ka akuzuar LSI se po shpërndan thasë me miell në këmbim të votave, apo për pjesëmarrjen e administratës publike në fushatë.

Në një reagim për Gazetën Shqiptare, Tavo ka thënë se fakti që LSI do të dal forcë e parë në mbarë qarkun ka trembur humbësit dhe nga paniku sajojnë gënjeshtra.

“Është fakt i padiskutueshem qe LSI është dhe do të jetë forcë e parë politike në mbarë qarkun e Gjirokastrës! Ky fakt i shqetëson të gjithë humbësit pasi tashmë ata e dinin që do humbnin, por jo kaq thellë sa do ndodhë me 25 qershor! Ne do kemi një rezultat spektakolar! Ky fakt xhelozon forcat e tjera politike dhe nga paniku sajojnë gënjeshtra e skenar imagjinar tre herë në ditë!

Ne nuk na ndal nga rruga jonë e fitores asnjë portal provincial që përdor foto të 2015-ës e i shet si të sotmen apo tabela të bardha I duken si thasë me miell, por ne duam të vendosim një standard qytetarie ndaj edhe bëmë padinë. Tik – tak! Ata e ndjejnë tingullin humbës së akrepit të orës që për ta, do gjëmojë si një këmbanë dështimi pas 25 qershorit! Tik tak tik tak! Dita e fitores së madhe për LSI po vjen!”, tha Vangjel Tavo për Gazetën Shqiptare.

Ndonëse nuk përmendet me emër, bëhet fjalë për portalin JuguNews.net që i përket Roland Bejkos, kryetarit të PD-së Gjirokastër dhe kandidatit për deputet të kësaj partie. Një ditë më parë ky portal publikoi foto, ku pretendohej se Tavo po shpërndante miell në këmbim të votave.

/Libohova Online/