Arkivi i Gjirokastrës, kreu i PS i përgjigjet Bejkos: Fantazoni nga dëshpërimi, s’keni as kauza e as njerëz

Çështja e Arkivit në Gjirokastër është kthyer në një debat mes PD-së dhe PS-së. Një ditë pas deklaratës së Roland Bejkos, ka reaguar edhe kreu i ri i sapozgjedhur i PS-së në Gjirokastër, Bledar Kaçi. Përmes një deklarate në faqen e tij e Facebook, ai thotë se nuk është e vërtetë që ky institucion do të shkrihet, por do të ketë reformim dhe një menaxhim më të mirë të dokumenteve. Më poshtë deklarata e tij e plotë.

Në përgjigje të PD Gjirokastër për çështjen e Arkivit dhe për të sqaruar opinionin publik. Si çdo sektor tjetër edhe Arkivat do t’i nënshtrohen një reformimi të thellë, me qëllimin e vetëm për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve dhe për të mbrojtur dokumentacionin. Në kuadër të kësaj reforme janë parashikuar edhe ndërtimi i 5 vendruajtjeve të Dokumenteve me Rëndësi Historike Kombëtare. Bëhet fjalë për vendruajtje sipas të gjitha standardeve që duhen për mirëmbajtjen e këtyre dokumenteve. Nuk është e vërtetë që institucioni i Arkivit Gjirokastrës do të shkrihet apo nuk do të ekzistojë më. Politikat arkivore, trajnimet, tërheqja e dokumentacionit, kontrolli dhe inspektimi do të kryhen nga inspektori rajonal i arkivave që do të jetë në Gjirokastër! Qytetarët që kërkojnë të kenë akses në dokumente të ndryshme, do ta marrin këtë shërbim përmes postës dhe së shpejti online. Pra, është çështje menaxhimi dhe reformimi e shërbimit të arkivave, jo shkrirje institucionesh sikundër ju pretendoni. Nëse për ju janë mirë kështu siç janë, kapica me dokumente nëpër magazina, ne duam të zbatojmë një model tjetër siç është kudo në botë. Gjithë të tjerat që thuhen për këtë çështje janë thjesht fantazi e Partisë Demokratike Gjirokastër, e cila natyrisht është pjesë e dëshpërimit që ka kapur në përgjithësi opozitën shqiptare. Dëshpërim që vjen nga mungesa e pushtetit, mungesa e kauzave dhe akoma më keq, mungesa e njerëzve me kredibilitet për t’i arikuluar në publik këto kauza.