Ashpërsohen gjobat për ndërtimet pa leje

2Ligji i ri për planifikimin e territorit merr fuqi ligjore nga data 1 tetor dhe parashikon rregulla të detajuara mbi planet vendore dhe kombëtare.

Ndër të tjera, në ligj ashpërsohet kontrolli dhe masat ndëshkuese ndaj abuzimeve me territorin ndërsa rritet transparenca me komunitetet. Përsa i përket lejeve të ndërtimit, ligji i ri që vjen pas “moratoriumit” të vendosur nga Këshilli Kombëtar i Territorit, parashikon se aplikimet duhet të bëhen përmes portalit të Regjistrit të Integruar të Territorit.

Në ligj unifikohen procedurat për llojet e ndërtimeve, çka pritet të ndikojë pozitivisht në shpejtësinë e procesit të dhënies së lejeve. Por ndryshe nga më parë, qytetarët dhe bizneset e sektorit duhet të marrin leje për çfarëdolloj punimi që duan të kryejnë në objekte.

Ligji përcakton penalitete që arrijnë variojnë nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë. Përsa i përket sektorit të ndërtimit, ligji përcakton detyrime të qarta për ndërtuesit, të cilët në rast se abuzojnë me lejen e ndërtimit apo ndërtojnë pa leje, penalizohen jo vetëm me gjoba të larta por edhe me heqje licence për 5 vite.

Por përveç penaliteteve financiare, ndërtimi pa leje sjell edhe kallëzimin penal në organet përkatëse, për faktin se sipas ndryshimeve të fundit në kodi, ndërtimi pa leje përbën vepër penale.

Nga ana tjetër, ligji përcakton se për rastet kur ndërtimi është bërë pa leje dhe ka vendim për prishjen e tij, do të jetë kundravajtësi ai i cili do të paguajë edhe për këtë proces, informon Dita.

E përsa i përket taksës së ndikimit në infrastrukturëm që ka rezultuar të jetë një taksë e vështirë për t’u mbledhur, ligji i ri parashikon se ajo duhet të paguhet përpara dorëzimit të dokumentit të lejes së ndërtimit nga autoriteti përgjegjës.