Azili në Gjirokastër, rritet numri i kërkesave

Në shtëpinë e të moshuarve në Gjirokastër po rritet numri i kërkesave për akomodim nga të moshuar të vetmuar apo të braktisur jo vetëm prej qarkut të Gjirokastrës por nga i gjithë vendi.

Merzo Katapuqi, nënë e dy djemve emigrant zgjodhi t’i bashkohet azilit pas përkeqësimit të kushteve të shëndetit. Ajo tregon se vendimi ishte i vështirë por beson se ishte vendimi i duhur.

“Këto kushte nuk do i kisha kurrë në shtëpi, dhe djemtë ti kisha në shtëpi. Këtu jemi shumë mirë, kalojmë mirë”, thotë Merzo Katapuqi, banore e azilit.

Abaz Kale, ish punonjës i policisë e motivon strehimin në shtëpinë e të moshuarve me vetminë pas largimit të fëmijëve dhe vështirësive ekonomike edhe për ta.

“Kam dy fëmijë në Greqi, nuk duan tia dinë fare për Shqipërinë. Unë vajta në Fier, në azil atje po nuk kishte kushte të mira. Erdha këtu, kam gjetur Parisin”, rrëfen ai.

Në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjirokastër 30 prej banorëve janë burra dhe 20 gra. Një pjesë e tyre sipas drejtorit Arjanit Muho meritojnë të strehohen në institucione të kujdesit të veçantë mendor apo institucione të posaçme për paaftësinë fizike, por për shkak të pamundësisë për trajtim specifik azili por trajton disa kategori të moshuarish.

“Qendrat rezidenciale dhe institucionet që ofrojnë shërbime për këta njerëz janë të kufizuara dhe jemi të detyruar për kushtet aktuale dhe kërkesat që na vijnë në vazhdimësi për të bërë e ndonjë shkelje në këtë fushë ”, thotë Arjanit Muho, drejtor i Shtëpisë së të Moshuarve.

Megjithë kushtet e mira  higjeno-sanitare dhe kujdesin shëndetësor sipas stafit drejtues institucioni ndjen nevojën e përfshirjes së banorëve të tij në programe që mund ta bënin jetën sociale më aktive ndërsa edhe mundësitë për të trajtuar banorët me nevoja të veçanta janë minimale./tch