Bariu i ankohet Flamur Golemit: Pa teserën e LSI-së s’më jepnin vaksinat e bagëtive

Kandidati për deputet i PS-së në Gjirokastër, Flamur Golemi tregon për takimin me një bari nga Golemi, i cili i kishte thënë se nuk përfitonte dot vaksinat për bagëtitë pasi i kërkonin të bëhej anëtar partie.

Ndonëse nuk e përmend me emër, kuptohet që është fjala për LSI-në pasi Golemi i referohet asaj si “partia e deputetit celular”.

Më poshtë shënimi i tij i plotë

Mbështetjen dhe frymëzimin për sfidën e 25 qershorit, më shumë se kudo tjetër e gjej tek njerëzit e zakonshëm në çdo fshat, lagje e rrugë të Gjirokastrës. Janë ata që i japin vlerë fitores tonë historike dhe na ngarkojnë me përgjegjësi që të bëjmë më shumë për Shqipërinë që duam. Unë kurrë s’kam për ta tradhtuar besimin e tyre. Shehairi është një bari 25-vjeçar nga Golemi. Gjatë bisedës më tregoi përpjekjet për të vaksinuar bagëtitë, por që i mbyllej çdo derë sepse i kërkonin të anëtarësohej në partinë e ‘deputetit celular’,  për t’i përfituar këto vaksina. U ndjeva më të vërtetë në siklet teksa po e dëgjoja, pasi kjo është një histori e turpshme që duhet të marrë fund njëherë e mirë. Prandaj PS kërkon mbështetje të jashtëzakonshme, për të qeverisur e vetme dhe për t’i dhënë fund njëherë e mirë qeverisë me dy timonierë. Vota për parti të tjera është votë e çuar dëm.