Bashkia Libohovë, 260 milionë lekë shpenzime gjatë vitit 2014

 Bashkia Libohovë, 260 milionë lekë shpenzime gjatë vitit 2014

bashkia LibohovaRreth 260 milionë lekë të vjetra janë shpenzuar nga Bashkia Libohovë gjatë vitit 2014, ndërsa na ndajnë pak ditë nga mbyllja e këtij viti. Shifrat janë publikuar nga Open Data Albania, duke iu referuar Thesarit, dega Gjirokastër, nëpërmjet të cilit janë kryer edhe pagesat e autorizuara nga bashkia. Deri më datën 4 dhjetor 2014, kur edhe është autorizuar veprimi i fundit, në total janë 216 transaksione me vlera të ndryshme.

Paratë janë shpenzuar kryesisht për të mbuluar pagat e administratës, pagat e këshilltarëve, shpenzimet e energjisë elektrike, telefonisë, kancelerisë, ndihma ekonomike, karburant, udhëtime të brendshme, mirëmbajtje e veprave publike etj.  Vlera ekzakte e këtyre shpenzimeve deri në datën 4 dhjetor 2014 është 25, 976, 502. 00 lekë.  

Në ditën në vijim libohovaonline.com do të bëj publike shpenzimet e çdo muaji të vitit 2014, të autorizuara nga Bashkia Libohovë drejt llogarive të institucioneve të tjera buxhetore apo kompanive private që i kanë shitur produkte ose shërbime kësaj bashkie. Këto të dhëna mund t’i aksesojë kushdo në faqen e Open Data Albania, e cila prej kohësh ka ndërmarrë projektin për bërjen transparente të shpenzimeve që bëjnë institucionet buxhetore në Shqipëri. Transparenca e këtyre shpenzimeve ndihmon qytetarët të kuptojnë më mirë destinacionin e taksave dhe tatimeve të tyre. © libohovaonline.com

1112

 

 

Libohova Online