Bllokohen në Gjirokastër 50 klandestinë nga Siria, mes tyre gra e fëmijë

klandestinet-noaNjë grup klandestinësh të cilët po udhëtonin nëpërmjet shtratit të Lumit Drino në afërsi të Urës së Lumit të qytetit Gjirokastër janë pikasur nga policia pas sinjaleve që mori dhe u bllokuan.

Specialistët e Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, konstatuan se ishin 50 shtetas nga Siria, klandestinë në Shqipëri.

Ndër ta kishte 6 gra dhe 2 fëmijë të moshës 9 e 10 vjeç, të cilët në orët e para të mëngjesit sot ora 03.00 janë shoqëruar në spitalin Rajonal Gjirokastër për ndihmë mjekësore.

Pas marrjes së mjekimit ata po trajtohen me ushqim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Klandestinët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek gjatë orëve të mbrëmjes, me destinacion Malin e Zi.

Policia tha se do të procedohet me rikthimin e tyre në shtetin grek, pasi klandestinët dispononin leje qëndrimi të shtetit grek.