Bruceloza, bagëti të pavaksinuara në Libohovë. Blegtorët japin ryshfet në Drejtorinë e Bujqësisë?

0Ndonëse tre javë më parë një 56-vjeçar nga Libohova humbi jetën nga antraksi, pasi kishte konsumuar mish të infektuar, Drejtoria Rajonale e Bujqësisë në Gjirokastër nuk ka kryer ende vaksinimin e bagëtive të imta.

Shumë barinj ankohen se deri më tani vaksinimi kundër brucelozës dhe plasjes nuk është kryer, edhe pse është tejkaluar afati.

Në adresë të Libohova Online kanë mbërritur disa ankesa, sipas së cilave në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjirokastër vaksinat sigurohen vetëm përmes ryshfetit. Edhe pse mbeten për t’u verifikuar pretendime të tilla, është fakt që sot e kësaj dite bagëtitë e imta në Libohovë dhe fshatrat përreth nuk janë vaksinuar të gjitha, pavarësisht se në këtë zonë ka vatra aktive të brucelozës.

Vaksina e brucelozës apo siç njihet ndryshe si militenza, duhej të ishte bërë rreth tre muaj më parë, por ndonëse afati është tejkaluar blegtorët bashkëjetojnë me rrezikun e kësaj sëmundje.

Të rrezikuar janë gjithashtu edhe ata që konsumojnë mish, qumësht, djath apo nënprodukte të tjera nga bagëti të pavaksinuara.  Blegtorët nuk lejohen t’i blejnë dhe t’i bëjnë vetë vaksinat në tufat e tyre.

Muaj më parë në spitalin e Gjirokastrës ishin paraqitur tre raste të prekura nga militenza, dy prej tyre nga fshati Nepravishtë.

|Libohova Online|