Buxheti i vitit 2018, ndërtohet rruga Kardhiq-Delvinë

Kryeministri Edi Rama ka diskutuar me grupet e interesit, kompanitë dhe sipërmarrjet për buxhetin e rrugëve për vitin 2018.

Qeveria do të ketë një politikë agresive për sistemin e kontratave në ndërtimin e rrugëve, për “të mos lënë hapësira të pafundme për spekulime e mashtrime”, është shprehur kryeministri Edi Rama, në takimin e buxhetit për Infrastrukturën. Ai tha se kanë nisur penalizime për supervizorë dhe zyrtarë të përfshirë në dëmin ndaj buxhetit të shtetit, teksa e ka quajtur të papërgjegjshëm administrimin nga ana e drejtorisë së rrugëve. Sa i përket qarkut Gjirokastër, kryeministri konfirmoi financimin e rrugës Kardhiq-Delvinë dhe të bypassit të Tepelenës.

Rama u shpreh se janë 10 segmente të rëndësishme që do të mbulohen nga buxheti i shtetit për 2018. “Do çojmë para projektin e Unazës së Madhe të Tiranës. By-pass-in e Tepelenës, do të përfundojmë rrugën Korçë-Ersekë, do të garantojmë By- Passet e Fierit dhe të Vlorës. Do të finalizojmë kontratën dhe do të fillojmë punën për rrugën e Arbrit. Milot-Balldren, Tiranë-Thumanë përmes Vorës, Kardhiq-Devlinë, një pretim i përsëritur nga të gjitha partitë, ka ardhur koha për t’i dhënë drejtim, më tutje aksin e ri Kashar-Rrogozhinë drejt Vlorës. Do përfundojmë dhe rrugën e lënë rrugëve Milot-Rreshen. Do të krijohen mijëra vende pune, ka thënë Rama.