Çelet ekspozita “Kronikë në Dropull”, gjithçka prej aparatit fotografik të Michel Setboun

fdgfdhPër herë të parë zhvillohet në Dropull në datat 7 gusht – 20 gusht projekti kulturor “Kronikë në Dropull”, i cili sjell një frymë të re nga ajo e projekteve dhe aktiviteteve kulturore që zhvillohen çdo vit në këtë krahinë. Ky projekt i ndërmarrë nga “Connext” dhe Eleana Zhako u radhit në listën e projekteve fituese të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë në nëntor të vitit të kaluar. Ekspozita “Kronikë në Dropull” përmban një seri të pasur fotografish të Setboun nga krahina e Dropullit dhe nga qyteti i Gjirokastrës gjatë periudhës së komunizmit dhe më pas. Një vend të veçantë zënë fotografitë nga kishat e rrënuara të Dropullit dhe nga periudha e rihapjes së tyre.

“Duke folur për kujtesën në ekspozitën në fjalë, bëhemi dëshmitarë të një ngjarjeje mjaft të veçantë: të hapjes së kishave, të rikthimit të një prej të drejtave më themeltare siç është ajo e besimit në territorin e Shqipërisë paskomuniste. Shohim përmes gjurmëve fotografike egërsinë totalitariste me të cilën diktatura komuniste zgjodhi të veprojë mbi çështjen e besimit, e kujtesës fetare, e relacioneve kulturore/artistike, të cilat gjendeshin te thesaret e rralla spirituale që dispononin kishat dhe manastiret ortodokse të Shqipërisë“,- shkruan kuratori i ekspozitës, piktori Toni Milaqi.

Përveç ekspozitës së fotografit Michel Setboun, e cila zhvillohet nga data 7 gusht deri më 20 gusht në Dervician, projekti përmban edhe aktivitete të tjera të rëndësishme si: seminare pikture me fëmijë në datën 8 gusht në Dervician nga piktori Toni Milaqi, në orën 18:00, në qendër të fshatit, si dhe prezantim libri të shkrimtarit Telemak Koça në datën 12 gusht në Qendrën Kulturore të Dervicianit, në orën 18:30. Në datën 10 gusht, ora 18:00, do zhvillohet në Koshovicë prezantimi i librit të shkrimtarit grek Sotris Dimitriu nga shkrimtari dhe përkthyesi i njohur shqiptar Romeo Çollaku, me praninë e vetë shkrimtarit. Prezantimi do shoqërohet paralelisht me tekste folklorike greke dhe shqiptare që përfshihen në librin e Dimitriut, nën tingujt e klarinetës nga banda muzikore e zonës së Gjirokastrës.

Gjithashtu, të njëjtën ditë në Koshovicë dhe ditën e nesërme do të ketë “Kinema nën yje” dhe do shfaqet filmi i regjisorit Sotiris Goricas “Nga dëbora”, i cili bazohet në librin e shkrimtarit Dimitriu, “Të dëgjofsha zënë e mirë” botuar nga “Toena” dhe me përkthim të Romeo Çollakut. Libri lidhet me Shqipërinë dhe rrëfen për dramën dhe peripecitë e një vajze të re greke, që pas mbylljes së kufirit greko-shqiptar u gjend në Shqipëri dhe nuk mundi të largohej. Ndërsa në datën 13 gusht do të zhvillohet një guidë turistike në Koshovicë dhe në fshatrat përreth të Dropullit të Sipërm.