Çfarë kërkoj nga kandidatët për Bashkinë Libohovë

Ng11136380_10153222745205883_1039818494_oa Alket Braho

Më tërhoqi vëmendjen një ditë më parë kërkesa e një votuesi nga Zagoria për kryebashkiakun e Libohovës, Altin Çomo, i cili është njëherazi edhe kandidati zyrtar i PD-së. Kosta Puleshi edhe pse jeton larg vendlindjes, i kërkonte Çomos arsye pse duhej të vinte të votonte. Në thelb kërkonte angazhime konkrete dhe jo thjesht fjalë. Po e rimarr edhe unë idenë e këtij qytetari, për të dhënë një opinion mbi garën mes Altin Çomos dhe Luiza Mandit.

Së pari është për të ardhur keq që edhe në këto zgjedhje do të dëgjojmë premtime për furnizim me ujë, për asfaltim e ndriçim rrugësh, për furnizim pa ndërprerje me energji e kështu me radhë. Të gjitha këto janë të rëndësishme, por fakti që do të premtohen sërish këto, tregon batakun se ku kemi rënë dhe se sa pak punë është bërë. Jemi në vitin 2015 dhe sërish do na ripremtohen gjëra që s’janë realizuar për vite me radhë. Nuk ka për të ndodhur vetëm në Libohovë kjo, por gati në të gjithë Shqipërinë.

Si një votues dhe taksapagues i Libohovës, së pari shpreh urimet për të dy kandidatët në garë. Besoj që libohovitët me votë të lirë do të dinë të bëjnë zgjedhjen më të mirë. Përpara se t’i drejtohemi kutisë së votimit në qershor, do duhet që Luiza Mandi dhe Altin Çomo të na dëshmojnë bashkarisht një fushatë zgjedhore qytetare.

Çfarë kam parasysh me këtë? Prezantoni platformat tuaja para qytetarëve në mënyrë dinjitoze, i bindni me argumente pse duhet t’ju votojnë dhe i leni të lirë të zgjedhin. Ju lutem mos kërkoni vota duke u bërë presion njerëzve me forma nga më të ndryshmet, nga ato që na kanë zënë sytë për gjithë këto vite. Më besoni që nuk është mirë edhe po t’i mashtroni se do t’i punësoni pasi të uleni në karrigen e kryebashkiakut.

Është e ulët edhe po të shpërndani thasë me miell nëpër familjet e këputura, të cilat sapo vini në pushtet ndodh shpesh që i harroni se ekzistojnë. Zotërinj kandidatë, për t’ja lehtësuar zgjedhjen qytetarëve të Libohovës, duhet që të paktën të bëni një debat publik me njëri-tjetrin. Sot janë të gjitha mundësitë, qoftë në televizionet lokale ashtu edhe publikisht në Libohovë. Kështu ndodh në të gjithë botën dhe s’ka pse ne të trajtohemi si qytetarë të dorës së dytë.

Zoti Altin Çomo, pas 8 vitesh qeverisje të Libohovës, do duhet që ta kërkoni sërish votën, duke prezantuar së pari bilancin e punëve tuaja. Qytetarët duhet të dinë realizimet dhe mosrealizimet. Për këto të fundit duhet të jepet edhe llogari. Sigurisht që ju jeni në të drejtën tuaj të bëni premtime për të ardhmen dhe unë s’kam asnjë arsye për t’i paragjykuar, por më parë mendoj se duhet të bëni bilancin e dy mandateve. Kështu funksionon në demokraci dhe më besoni që kështu ua bëni më të lehtë zgjedhjen qytetarëve.

Zonja Luiza Mandi, si një mjeke profesioniste do duhet që fillimisht të përcaktoni qartë edhe “diagnozën” e Libohovës. Më pas, të tregoheni po aq e saktë dhe e përgjegjeshme me premtimet që do të bëni, njësoj siç tregoheni kur mbushni recetën me medikamentet që i duhen pacientit. Thënë kjo, ju lutem na i kurseni premtimet boshe sa për fushatë. Prezantoni një platformë të qartë, me projekte konkrete që kanë nga pas edhe një buxhet të parashikuar, që kanë një burim financimi dhe një afat se kur nisin e kur mbarojnë. Fjala vjen, nëse do të premtoni një ujësjellës të ri për Libohovën, na tregoni projektin konkret, mënyrën e financimit dhe afatet kur do të zbatohet. Po kështu edhe për infrastrukturën, për turizmin, kulturën, sportin etj. Premtimeve boshe u del shpejt boja, prandaj ju lutem tregohuni e sinqertë përballë qytetarëve.

Si do të sillen dy kandidatët në fushatë dhe çfarë do të vendosin qytetarët në 21 qershor nuk e di, por uroj dhe dua të shpresoj që këto zgjedhje nuk do të jenë sërish një shans i humbur për Libohovën.