Cigare dhe rroba kontrabandë, pranga shoferit të autobusit në Kakavijë

Policia Kuftitare në Kakavijë goditi një rast të kontrabandës me mallra që paguhet akcisë. Për fshehjen e mallrave në mjet me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, është arrestuar në falgarncë drejtuesi i mjetit.

“Në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative se një autobus i linjës Athinë-Vlorë, në të cilin kishte dhe mallra të fshehura me qëllim mospagimin e detyrimit doganor, do të hynte në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me shërbimet doganore kryen një kontroll në këtë mjet”.

“Gjatë kryerjes së kontrollit, në pjesën e brendshme të autobusit, në një vend të përshtatur në pjesën e kondicionerit dhe në pjesën e tualetit u gjeten dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 63 steka cigaresh, si dhe në bagazhin e mjetit u gjetën dy valixhe me konfeksione, të cilat do të futeshin kontrabandë në vendin tonë”.

“Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P. Gjirokastër u arrestua në flagrancë shtetasi B. L., 40 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit. Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabandë me mallra të tjerë”, thuhet në njoftimin e policisë.