Çizme, mushama dhe gjeneratorë. Vjen në Kakavijë kamioni me ndihma nga Greqia për përmbytjet

Pas emergjencës së përmbytjeve në jug të vendit, ndihmë ka ofruar edhe shteti fqinj, Greqia. Burime të Libohova Online nga Kakavija, thonë se sot ka hyrë një kamion grek në territorin shqiptar me ndihmë për familjet e përmbytura. Kamioni nuk kishte ushqime, por sende të tjera të nevojshme në rast përmbytjesh.

Burimet thonë se brenda kamionit kishte çizme, mushama dhe gjeneratorë me vlerë të konsiderueshme. Kamioni është drejtuar për në Fier, i cili bashkë me Vlorën ishin dy qarqet me më shumë dëme nga përmbytjet.

Nuk dihet nëse këto ndihma do të shpërndahen edhe në qarkun Gjirokastër, ku një ditë më parë mbërritën të tjera ndihma nga rezervat e shtetit, kryesisht ushqime e veshmbathje.

©Libohova Online