Çomo: Rrini të qetë dhe më votoni mua. Do jem miku juaj më i ngushtë

11406741_1433752830279211_3386072990048813248_oKandidati i PD-së për Bashkinë Libohovë, Altin Çomo, i rikthehet sërish komenteve për vizitën e Edi Ramës pak ditë më parë në mbështetje të rivales së tij, Luiza Mandi. Këto komente vijnë pas takimit që Lulzim Basha zhvilloi mbrëmë në Nepravishtë.

Çomo edhe kësaj here shprehet se nuk e njeh autoritetin e Edi Ramës, pasi atij i referohet si “ashtuquajturi kryeministër i shqiptarëve”.

Në shënimin e tij në Facebook, ai inkurajon qytetarët që të rrinë të qetë dhe të mbështesin kandidaturën e tij

“Më lejoni që të bëj një thirrje për të gjithë banorët e kësaj bashkie të re, të rrinë të qetë dhe të mbështesin pa rezerva alternativën e Partisë Demokratike dhe kandidaturën time, pasi ju premtoj se do të jem njeriu i punës dhe miku juaj më i ngushtë sic kam qenë dhe më parë, zyra ime, shtëpia ime do të jenë të hapura për ju në cdo kohë dhe do ju gjendem e do më gjendeni pranë për cdo gjë”- thotë Çomo.

 Më tej ai thotë se e ka gjetur zgjidhjen edhe pse qeveria mund të mos i japë fonde.

“Kjo qeveri, pavarësisht ekstremizimit që i ka bërë ndarjes së fondeve publike, është dhe duhet të jetë për të gjithë shqiptarët, por ne që tani kemi lidhur ura bashkëpunimi me partnerë lokalë, institucione të pavarura, biznesin privat, të cilët kanë mirëpritur kërkesat dhe ofertat tona dhe ndihen të kënaqur e të vlerësuar”- shkruan Çomo.