Çuçi në ‘Granicë’: 25 qershori referendum për Shqipërinë, ne nuk punojmë numra celulari

Numri 1 i PS në qarkun e Gjirokastrës, Bledi Çuçi ka ftuar qytetarët gjirokastritë që ta kthejnë votën e 25 qershorit, në një referendum për Shqipërinë në Europë. Gjatë një takimi me banorë të lagjes së Granicës, Çuçi deklaroi se qeverisja e vetme nga PS, është garanci për hapjen e negociatave me BE në muajin nëntor.

“Largohuni nga çdo retorikë politike e këtyre ditëve dhe kur të shkoni në 25 qershor para kutive të votimit mendoni kush mund ta bëjë Shqipërinë një shtet dinjitoz për t’iu bashkuar Europës, Lulzim Basha apo Edi Rama? Nuk ka dyshim, që është Edi Rama dhe qeveria socialiste e vetmja shpresë për Shqipërinë. U themi me bindje, po të na jepni besimin të qeverisim të vetëm në 26 qershor, në Nëntor çelim negociatat me BE, një vendim i marrë edhe nga Brukseli ky. 25 qershori duhet të jetë një referendum i gjithë shqiptarëve për të shkuar drejt Europës”, u shpreh Çuçi.

Çuçi i kërkoi gjirokastritëve t’i besojnë PS, që qeveris mbi bazën e projekteve dhe jo me numeratorë celulari.

“Numra celulari merrni sa të doni, edhe ne kemi numra celulari, por ne nuk bëjmë fushatë dhe nuk ndërtojmë Shqipërinë me blloqe dhe numeratorë celulari. Ne ndërtojmë Shqipërinë me libra projektesh dhe punësh dhe për këtë kemi dhënë prova këto 44 muaj dhe do japim prova edhe 4 vjeçarin e ardhshem, ku do transformojmë Gjirokastrën dhe gjithë Shqipërinë në një vend të denjë europian”, nënvizoi Çuçi.

Lagjia Granicë është një prej lagjeve që ka përfituar nga ndërhyrja e qeverisë shqiptare në rehabilitimin e fasadave, një projekt që rrit vlerën e pronës në këtë zonë në masën 40 përqind.

“Kemi bërë ndërhyrje shumë të rëndësishme edhe në pjesën e re të qytetit. Ndërhyrja më e mrëndësishme është rehabilitimi që po i bëjmë të gjithë fasadave, pjesës së lagjes së 18 shtatorit, përfshirë Granicën, ku një pjesë e rehabilitimit të ndërtesave, të fasadave e të kësaj lagje janë përfshirë në projekt. Kjo do të thotë se vetëm në 1 vit vlera e pronës të rritet 30-40 përqind, pa bërë asgjë ju, vetëm me këtë ndërhyrje, me këtë rehabilitim të kësaj lagje”, theksoi Çuçi.