Dashuria në azilin e Gjirokastrës, 75-vjeçarja xheloze për Qamilin 90-vjeçar

Një histori gati e pabesueshme është ajo e Mejreme Dibrës, së cilës me sa duket i është dashur të presë gjatë për të gjetur dashurinë e vërtetë. Pas vdekjes së bashkëshortit të parë, Noçja sikurese e thërrasin të gjithë përjeton një martesë të dytë, por sërish të pafat. Edhe bashkëshorti i dytë u largua nga jeta. Pak kohë më pas, ajo humbi edhe vajzën. Për 17 vite jetoi e vetme, derisa vendosi që pleqërinë ta kalonte në shtëpinë e të moshuarve në Gjirokastër. Pikërisht aty njohu Qamilin, me të cilin u dashurua dhe prej 15 vitesh ndajnë të njëjtën dhomë.

Çifti ka qenë mbrëmjen e djeshme në programin “Dua të të bëj të lumtur”, ku 75-vjeçarja kishte thirrur partnerin e saj 90-vjeçar, për t’i parashtruar disa kërkesa.

Ndër të tjera, ajo i kërkoi Qamilit, një burrë tipik gjirokastrit, që të tregohet pak më dorëlëshuar kur vjen puna tek dhuratat e saj dhe gjithashtu, ç’ishte më e rëndësishmja që të mos shihte më gra të tjera, sepse ajo bëhej xheloze.