De Biasi: Marrëdhëniet e mia me Dukën dhe e vërteta e kalimit në Greqi

de-biazi-800x473Trajneri i Kombetares shqiptare Gianni De Biasi mohon kategorikisht mundësinë që të largohet nga drejtimi i Kombëtares para përfundimit te Europianit. Disa media greke shkruan se ai mund të drejtojë kombëtaren e vendit fqinj, nisur nga një intervistë e tij dhënë për një radio në Greqi. Por i pyetur nga televizionin Klan, tekniku i kombëtares sqaron se fjalët e tij janë keqkuptuar.

“Gazetarët grekë kanë thënë diçka që nuk ekziston, pasi unë kam thënë vetëm që ndoshta në të ardhmen mund të stërvis edhe përfaqësuesen e Greqisë. Unë kaq kam thënë, pasi ashkush nuk mund ta njohë të ardhmen e tij”.

De Biasi ka konfirmuar se marrëdhënia e tij me federatën është tepër korrekte.

“Ka patur shumë keqkuptime, pasi për atë që shkruhet e thuhet duket sikur unë dhe federata jemi kundërshtarë, kjo nuk është absolutisht e vërtetë, punojmë në mirëkuptim të plotë, ndryshe nuk do të ishin arritur këto rezultate. Unë që ditën e parë që erdha në Tiranë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Duka duke më dhënë mundësinë të punoj ashtu si dua unë dhe për këtë dua ta falenderoj. Unë mund të them që kontrata ime rinovohet automatikisht deri në Europian dhe nëse federata dëshiron ta zgjasë kontratën më vonë është diçka tjetër”.

Për kontratën e re të re të De Biasi po diskutohet për një rritje të pagës së tij, për shkak të suksesit të arritur. Por synimi kryesor i 59 -vjeçarit mbetet ecuria ne Europian.

“Të shikojmë se cilët do të jenë kundërshtarët. Besoj se e rëndësishme është që u kualifikuam në Francë dhe do të shkojmë atje për t’i vendosur kundërshtarët në vështirësi ashtu siç bëmë gjatë kualifikueseve”. Gianni De Biasi është trajner i Kombëtares prej dhjetorit të 2011 dhe kontrata e tij skadon në fund të Kampionatit Europian. /Tv Klan/