Del emri i parë në garën për drejtor të spitalit Gjirokastër

Dy ditë më parë Ministria e Shëndetësisë njoftoi zyrtarisht hapjen e konkursit për drejtuesit e rinj të spitaleve në vend, të cilët u dorëhoqën pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama gjatë muajit gusht.

Ndërkohë përsa i përket spitalit rajonal ‘Omer Nishani’ në Gjirokastër, burime të ArgjiroLajm.net thonë se deri më tani kandidat për të marrë drejtimin e këtij institucioni është mjeku radiolog, Miri Mahilaj.  Për momentin nuk dihet ende nëse do të ketë emra të tjerë në garë dhe si do të vijohet me përzgjedhjen e fituesit.

Aplikimet janë të hapura për një periudhë 15 ditore nga momenti i shpalljes së konkursit. Spitali ‘Omer Nishani’ drejtohej më parë nga LSI si pjesë e ndarjes së ‘tepsisë’ së pushtetit, nëse i referohemi kështu ligjërimit të Ramës, ndërsa një javë para zgjedhjeve të 25 qershorit u komandua mjeku Përparim Muço.

As një muaj nuk zgjati për të mbajtja e postit, pasi Kryeministri u kërkoi të gjithë drejtorëve të spitaleve dorëheqjen nga detyra, për t’i hapur rrugë siç tha ai, një procesi tjetër reformimi.

/ArgjiroLajm.net/