Deputetët e Gjirokastrës harrojnë debatet në Kuvend, Flamur Golemi e Tritan Shehu bëjnë ‘paqe’ për Ditën e Verës

Politikanët i kemi parë shpesh të bëjnë sherr e shamatë në Kuvend apo nëpër studio televizive, në një përpjekje për të fituar sa më shumë simpatinë e elektoratit. Rendin për t’u dukur në sytë e opinionit publik si më të mirë e më të zotë se kundërshtarët e tyre. Por kur kamerat fiken, akuzat e dasitë politike harrohen si me magji. Përjashtim nga kjo ligjësi e politikës nuk bëjnë as deputetët e qarkut Gjirokastër, Tritan Shehu dhe Flamur Golemi. Me rastin e Ditës së Verës ata ishin bashkë në qytetin e Përmetit sikundër shihet në këtë foto.

Mes tyre janë kryebashkiaku Niko Shupuli dhe prefekti Astrit Aliaj. Kjo foto merr më shumë kuptim sepse vjen pak ditë pasi Golemi e Shehu kanë replikur ashpër në Kuvend për Gjirokastrën. Fillimisht ishte deputeti i PD-së që krahasoi Gjirokastrën me Alepon e Sirisë dhe hodhi akuza se qyteti i UNESCO-s po diskriminohet nga Rama. Po në Kuvend iu përgjigj edhe deputeti i PS-së, sipas së cilit krahasimet e Shehut ishin të tëpëruara dhe vinin prej një opozitë të dëshpëruar në pushtet. Kamerat u fikën dhe replikat u harruan. Dy deputetët shfaqen publikisht për Ditë Vere, pozojnë së bashku e ndoshta janë ëmbëlsuar me ndonjë gliko Përmeti. Thënë këto, edhe ky rast për dy deputetët e Gjirokastrës, e rikonfirmon atë që theksuam në krye të shkrimit; Mos u besoni të gjitha atyre që thuhen kur kamerat janë ndezur. Levat e politikës lëvizin më së shumti në ‘Off Record’. Ajo që shohim në Tv është më shumë show.