Deputetët e Gjirokastrës, Tavo-Golemi ‘përplasen’ në Komisionin e Shëndetësisë

Parlamenti ka miratuar sot përbërjen e komisioneve parlamentare me deputetë nga të gjitha forcat politike.

Sa i përket deputetëve të qarkut Gjirokastër, Flamur Golemi dhe Vangjel Tavo do të jenë të dy përballë njëri-tjetrit në Komisionin e Shëndetësisë.

Kujtojmë që gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, Golemi e Tavo patën replika në distancë. Më së shumti ishte Golemi që sulmonte Tavon në takime të ndryshme elektorale.

Etiketat ‘deputeti 20-vjeçar’, ‘deputeti call centre’ apo ‘deputeti me numër telefoni’, ishin pjesë e retorikës së Golemit pothuajse në çdo takim të tij me elektoratin apo në daljet publike. Mbetet për t’u parë se si do të përvijohet kjo ‘përplasje’ gjatë punës që dy deputetët do të kenë në Komisionin e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, Tritan Shehu i Partisë Demokratike do të jetë në Komisionin e Jashtëm në postin e nënkryetarit, ndërsa Bledi Cuçi shkon nënkryetar në Komisionin e Integrimit Europian.

Mirela Kumbaro, nuk do të jetë pjesë e asnjë komisioni pasi mban postin e Ministres së Kulturës.

/ArgjiroLajm.net/