Dita botërore e shahut, problematikat e traditës 40-vjeçare në Gjirokastër

position-no-hand-courier-chessNë ditën botërore të shahut, ky sport elitar dhe i popullarizuar përballet me problematika të shumta. Me një traditë mbi 40-vjeçare, ekipi i shahut në Gjirokastrës është në kufijtë e mbijetesës. Edhe pse interesimi i të apasionuarve pas këtij sporti është ai që e ka mbajtur ekipin në këmbë, klubi rrezikon mbylljen e tij për shkak të mungesës së mbështetjes nga pushteti vendor dhe vështirësive financiare me të cilat përballet. Këto janë ambientet në të cilat ky klub zhvillon veprimtarinë e vet, ndërsa kërkesat e tyre për një fond modest për ekipin dhe një ambient të përshtatshëm, prej vitesh kanë mbetur sirtarëve të zyrave të shtetit.

Presidenti i këtij klubi të njohur edhe nga Federata Kombëtare e Shahut, Sokol Karaulli, pohon se Gjirokastra ka përfaqësues dinjitoz në disa kompeticione ku kanë fituar edhe çmime të para dhe të dyta, por mungesa e infrastrukturës është një ndër problemet kryesore që pengon ecurinë e mëtejshme të ekipit.

Të rinj të duket se janë të interesuar për këtë lloj sporti. Ata janë pjesëmarrës aktivë në përballjet e organizuara në kampionatet rajonale duke sjellë në Gjirokastër jo pak trofe. Historia e sportit të shahut në Gjirokastër i ka fillesat e veta në fillim të viteve ’70. Ekipi që ka fituar disa çmime kombëtare shënon sot rreth 40 anëtarë profesionistë. Por pavarësisht kësaj ata vazhdojnë të mbeten të panjohur edhe nga vetë pjesa më e madhe e qytetarëve gjirokastritë dhe jashtë vëmendjes së pushtetarëve./bw