Dita e parë e Kuvendit, Flamur Golemi i drejtohet me një mesazh banorëve të qarkut Gjirokastër

Me rastin e seancës së parë të Kuvendit, deputeti i Gjirokastrës, Flamur Golemi ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook një mesazh të shoqëruar me foto, ku ai duket bashkë me Mirela Kumbaron. Ja çfarë shkruan Golemi:

Sot hyra për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë. E veçoj këtë moment, jo më shumë për faktin se është thjesht dita e parë, por sepse kam nderin që sot e në vijm të përfaqësoj zyrtarisht qarkun e Gjirokastrës bashkë me kolegët Çuçi e Kumbaro. Më besoni, ky është një privilegj dhe përgjegjësi shumë e madhe për mua, prandaj jam i vetëdijshëm për të mos shkelur kurrë besimin që më dhatë me votë në 25 qershor. E di që politika në Shqipëri zhvillohet në një terren të ashpër, ku shpesh je i detyruar të bësh kompromise apo të marrësh vendime që nuk i kishe menduar më parë. Por ju siguroj se në çdo rast do të udhëhiqem nga interesi publik dhe do të mbështes çdo projekt a nismë që i sjell Gjirokastrës më shumë zhvillim, që krijon më shumë vende pune dhe rrit mirëqënien e njerëzve. E shikoj politikën si mjet për t’i dhënë zgjidhje problemeve tona të përbashkëta, dhe në çdo ditë të punës time si deputet do të kem parasysh Betimin e Hipokratit, për t’i shërbyer të gjithëve pa asnjë dallim. Sfidë të madhe kemi përpara, por s’ka gjë që na pengon për aq kohë sa ne jemi në koalicionin më të madh që Shqipëria ka pasur ndonjëherë; koalicioni me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Suksese të gjithë kolegëve dhe punë të mbarë!