Drejtorët e shkollave i ‘nxjerrin bojën’ kryebashkiakëve te Lindita Rova

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Rajonale në Gjirokastër, Lindita Rova, ka mbledhur në një takim drejtuesit e shkollave të rrethit.

Ata kanë raportuar te Rova gjendjen fizike të shkollave dhe ndërhyrjet që duhen kryer nga Bashkitë. Por pothuajse njëzëri drejtorët e i shkollave i janë ankuar Rovës për mungesë vëmendje nga ana e Bashkive.

‘Nuk i janë përgjigjur atyre që themi ne, por bëjnë atë që duan ata. Përsa i përket lagështisë asnjë masë nuk është marrë. Jam ankuar shpesh për lagështinë’, i thotë Rovës një drejtoreshë shkolle.

‘Xhamat janë të thyer. Bojë s’ka për sivjet, por ne i lyem klasat me atë bazë të kishim’, tregon një tjetër drejtoreshë.

Ndërkohë Rova i ka dhënë lajmin drejtuesve të shkollave se prej shtatorit, mbulimi i shpenzimeve të transportit rrugor për nxënësit dhe mësuesit kalon sërish pranë DAR.

Në prezantimin e djeshëm të kabinetit të ri qeveritar u fol edhe për shkrirjen e Drejtorive Arsimore nëpër qarqe, duke lënë vetëm 4 të tilla në rang rajoni. Mbetet për t’u parë në muajt e ardhshëm se çfarë do të bëhet me DAR Gjirokastër.