“Drite jeshile” per maturantet mbetes, do te kete formular A3

maturantet“Pranimi i studentëve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik bëhet për ata që arrijnë rezultate kaluese në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore. Edhe për vitin akademik 2014-2015, pranimi i studentëve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik, bëhet nëpërmjet parimit meritë – preferencë dhe do të kryhet në dy raunde, me dy Formularët A2 dhe A3”, – thuhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave, raporton sot Gazeta Shqiptare.

Kuotat që do të mbesin vakante në raundin e parë, i cili do të bëhet nëpërmjet plotësimit të Formularit A2, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit nëpërmjet Formularit A3. Po ashtu, VKM-ja e djeshme për miratimin e kuotave përcakton edhe se kush ka të drejtën ta plotësojë Formularin A3, ku përcaktohet se plotësojnë Formularin A3 kandidatët që: Kanë aplikuar me Formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve; kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2; kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2014; kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore; kanë plotësuar Formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje.

Në këtë mënyrë, edhe këtë vit, maturantëve që kanë ngelur do t’u jepet një shans i dytë për të hyrë në universitet nëpërmjet Formularit A3.