Droga dhe analiza e zgjedhjeve vendore, Rama takohet nesër me deputetë të Gjirokastrës

Rama-78Kaplja e avionit të drogës zbulon përmasat e kultivimit të kanabisit në Jug të vendit.Kryeministri Rama të shtunën do të mbledhë parlamentarët e Vlorës dhe Gjirokastrës me të cilët do të bëjë analizën e zgjedhjeve vendore dhe problemin e drogës së kultivuar ne zonat e këtyre dy qarqeve.

Deputetë të këtyre dy qarqeve, konfirmuan për “Shqiptarja.com” se kanë marrë njoftim për një mbledhje që kryetari i PS-së, njëkohësisht kryeministri i vendit, Edi Rama do të zhvillojë ditën e shtunë në qytetin bregdetar të Vlorës.

Droga
Mbjellja dhe trafikimi i lëndëve narkotike mes fshatrave të Vlorës dhe atyre të Tepelenës, dhe ngritja së fundmi e një avioni transportues i kanabisit nga një zonë e thellë mes këtyre dy qyteteve drejt Italisë, ka bërë që kryeministri të thërrasë deputetët e zonës. Gjatë kësaj mbledhjeje pritet që deputetët të mobilizohen për të unifikuar punën me pushtetin vendor për luftimin e fenomenit. Ndërkohë që policia po punon paralelisht me aksion anti-kanabis, puna e deputetëve do të jetë me komunitetin në rrafshin ndërgjegjësues. 

Analiza
Fillimi i analizave sipas qarqeve është vijim i procesit përgatitor i nisur nga Asambleja Kombëtare. Deputetët i kanë dërguar kryeministrit raporte personale për çdo zonë që kanë pasur në përgjegjësi elektorale. Mësohet se shqyrtimi i këtyre shifrave do të jetë pjesë e mbledhjes së ditës së nesërme.

Nga analiza e shifrave, Qarku i Vlorës është një nga të paktët qarqe ku Partia Socialiste është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2011, referuar votave për këshillin bashkiak. Rritja më e madhe është në bashkinë e Himarës, ku nga 1797 vota të marra në vitin 2011, në 21 qershor janë marrë 3045 vota. Rritje ka dhe bashkia Sarandë, e cila 4 vjet më parë kishte marrë 3,863 vota për PS, ndërsa në këto zgjedhje, u arritën 3983 vota. Edhe vetë bashkia Vlorë ka pësuar rritje, nga 21,437 në 21548 vota.

Rritje me 260 vota ka pasur dhe bashkia e vogël e Finiqit, e cila ka arritur nga 1599 vota, në 1861 të tilla.

Tre bashki të tjera, kanë pasur ulje. Konispoli ka zbritur nga 1589 vota, në 1051, ndërsa Delvina nga 1081 vota, në 1072. Po ashtu, bashkia Selenicë ka një ulje të konsiderueshme, nga 3697 në 2505 vota.

PS në Qarkun Gjirokastër ka ulje në të gjitha bashkitë e saj, përjashtuar Tepelenën, dhe Memaliajn. Në bashkinë Gjirokastër PS nga 5,756 vota, mori 5617 këtë vit.

Në Përmet mori 702 vota nga 552; në Tepelenë nga 1,788 mori 2009; në Dropull nga 1243 vota mori 748; në Këlcyrë nga 340 mori 339, në Libohovë nga 1000 mori 884, ndërsa në Memaliaj u rrit nga 1477 në 1593 vota.