Dy çanta me 16 kg drogë në Lumin Drino, transportuesit i shpëtojnë policisë

Dy persona kanë tentuar të kalojnë kufirin e gjelbër në Kakavijë me dy çanta dore mbushur me kanabis, në vendin e quajtur Shelgu. Por, policia Kufitare e Kakavijës, duke patrulluar shtratin e lumit Drino, i ka pikasur dhe i ka bërë thirrje të ndalojnë. Por dy burrat kanë vrapuar me çantat në dorë për t’u shmangur dhe kur rrezikuan të kapeshin, u detyruan t’i flakin ato dhe të fshiheshin në terrenin e thyer malor, mes pishave.

Policia Kufitare i ka kontrolluar çantat dhe ka gjetur aty kanabis të paketuar si cilindër për  t’u mbajtur lehtë gjatë transportimit dhe që peshonin në total 16 kg.

Policia Kufitare në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P.Gjirokastër po punojnë për identifikimin dhe kapjen e këtyre personave.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetim të mëtejshëm, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal