Dy emra në garë për kreun e PS Libohovë

24634317869_57fb936e36_zPartia Socialiste do të zhvillojë zgjedhjet në 61 degët lokale për të zgjedhur kryetarët e rinj. Kryesia e PS ka miratuar sot kandidatët të cilët do të garojnë në këtë proces.

Zgjedhjet për kryetarët e rinj të Partisë Socialiste do të nisin në degën e Fierit këtë të mërkurë, 25 maj, ndërsa në të gjithë vendin do të përfundojnë të dielën, 29 maj. Në degën e PS-së në Libohovë kandidojnë dy emra, Arnisa Ibrahimi dhe Arjan Cano.

Propozimet që u miratuan sot në kryesinë e PS, kanë kaluar përmes një turi konsultimesh mes koordinatorëve të PS-së në qarqe, të deleguarve të kryesisë për këtë proces dhe kryetarëve të bashkive aty ku drejtohen nga Partia Socialiste.

Kryetari i Partisë Socialiste të bashkisë do të zgjidhet me votim nga mbledhja e zgjeruar e asamblesë socialiste të bashkisë, ku do të marrin pjesë edhe delegatët e Kongresit, krerët e këshillave socialistë të bashkisë.

Kryetari i PS­-së së bashkisë do të jetë funksionar, me pagesë dhe kohë të plotë në parti. Mandati i tij është 4­-vjeçar dhe ndërpritet kur jep dorëheqjen, kur shkarkohet nga kryesia e PS-­së për dobësi në punë dhe shkelje të normave të statutit, kur nuk fiton në mocionin e votëbesimit që zhvillohet për të, kur humbet në zgjedhjet vendore ose arrin rezultat më të dobët se zgjedhjet e mëparshme politike në bashkinë respektive.