Gjirokastër, dy femra në “luftë” për një karrige

11058537_783196175104553_4028420533498390079_nPër herë të parë pas më shumë se dy dekadash në krye të Bashkisë Gjirokastër, ndër më të rëndësishmet në jug të vendit, do të ngjitet një femër. Kjo nëse do të kemi një përballje elektorale mes Zamira Ramit dhe Mimoza Çomos. Këto janë dy emrat më të mundshëm për të udhëhequr garën elektorale të 21 qershorit. Pas marrëveshjes Rama-Meta, Bashkia Gjirokastër iu dha Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI do të provojë për herë të dytë që të fitojë me kandidatin e saj, pas humbjes që pësoi në zgjedhjet e vitit 2011 me Genci Sinoimerin, i mbështetur asokohe edhe nga Partia Demokratike.

Kurse PD do të provojë të marrë Gjirokastrën pas 12 vitesh drejtimi nga Flamur Bime. Është shndërruar gati në një lloj miti që PD nuk fiton në Gjirokastër dhe kjo do të jetë prova e radhës për ta thyer këtë mit. Ndoshta në këto zgjedhje, PD ka si aleat Lazaratin, i cili me ndarjen e re territoriale është llogaritur si pjesë e Bashkisë Gjirokastër. Duke qenë një bastion i djathtë, votat e Lazaratit janë një bonus i madh për PD-në. Por kush janë profilet e dy zonjave që pritet të kryesojnë garën për Gjirokastrën?

Mimoza Çomo

Pas një përvoje të gjatë në arsim, Mimoza Çomos iu besua një detyrë e rëndësishme në vitin 2009. Ajo u emëruar Prefekte e Gjirokastrës, vend i cili mbeti vakant pasi Spiro Ksera fitoi mandatin e deputetit dhe më pas u bë ministër i Punës. Ajo e ushtroi këtë detyrë për 4 vjet, derisa Partia Demokratike humbi zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Mimoza Çomo ka ruajtur një profil të ulët publik, por e respektuar gjerësisht në Gjirokastër edhe për shkak të mospërfshirjes së saj në sherrnajat lokale mes drejtuesve të pushtetit vendor e atij qëndror. Ndoshta është figura më e pranuar edhe mes bazës së vetë Partisë Demokratike në qytetin e gurtë. Nga ana tjetër, zgjedhja e Mimoza Çomos mund te jetë edhe e detyruar për PD-në, si për barazpeshë me kandidaten femër të LSI-së.

Zamira Rami

Prej disa vitesh punonte si pedagoge në Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ajo u përfshi në listat e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mandati i vetëm i deputetit për LSI-në në Gjirokastër i shkoi Vangjel Tavos dhe Zamira Rami nuk arriti të shkonte në parlament. Por pas marrëveshjes PS-LSI, Prefektura e Gjirokastrës iu dha LSI-së. Falë edhe mbështetjes së Vangjel Tavos, Zamira Rami merr detyrën e prefektes, detyrë të cilën e ushtron edhe sot e kësaj dite. Deri më tani, LSI nuk ka një figurë tjetër lokale me profil më të lartë se sa Zamira Rami dhe zgjedhja e saj si kandidate e koalicionit të majtë është pothuajse e sigurt. Terreni që LSI të merrte Bashkinë Gjirokastër ishte përgatitur prej kohësh. Një numër i madh drejtorish të rëndësishme në këtë qark, drejtohen nga njerëz të LSI-së dhe natyrisht që kjo do të ketë impakt në zgjedhjet lokale.

Po Flamur Bime?

Pas 12 vjetësh në krye të Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bime shpresonte se do të ishte sërish i preferuari i Ramës dhe Metës. Por duket se pas kallëzimit penal të INUK për një ndërtim në lagjen “18 Shtatori”, Bime është i përjashtuar nga gara. Megjithatë, një kandidim i tij si i pavarur do të pakësonte votat e të majtës, duke rritur ndjeshëm shanset që Bashkinë Gjirokastër ta fitonte Partia Demokratike. Deri më tani nuk ka sinjale se Bime do të kandidojë si i pavarur, megjithatë ai është ende një person influent në qytet.

Nëse pas disa ditësh do të kemi konfirmime zyrtare si nga LSI edhe nga PD se Zamira Rami dhe Mimoza Çomo do të jenë kandidate për Bashkinë Gjirokastër, atëhere pritet që kjo të jetë një nga ballafaqimet më interesante të zgjedhjeve të 21 qershorit. Dy femra, të cilave u është dhuruar karrigia e prefektes, do të “luftojnë” kësaj here për të merituar karrigen e Bashkisë Gjirokastër.