Edhe dosja e ish-kryebashkiakes së Gjirokastrës në dorë të SPAK

Prokuroria e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka nisur hetimet për ish-kryetaren e bashkisë së gjirokastrës, Zamira Rami. Procesi ka nisur në korrik të vitit 2019 kur dy banorë kanë denoncuar shembjen e disa shtëpive. Pretendimi ka qenë për prishjen e godinave pa një vendim shpronësimi duke sjellë dëm të pronarëve të objekteve.

Pas denoncimit prokuroria e Gjirokastrës verifikoi të dhënat duke e dorëzuar dosjen në gjykatën e këtij qyteti me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Gjithsesi togat e zeza vendosën të shpallin mos kompetencën për shkak të funksioneve që ka pasur Rami. Ndaj çështja tashmë i ka kaluar strukturës së posaçme antikorrupsion

Do të jenë prokurorët e SPAK që do të hetojnë më tej çështjen për të vijuar më pas dhe me konkluzionet.

Zamira Rami ka drejtuar bashkinë e Gjirokastrës gjatë viteve 2015-2019.

Deri më tani në SPAK ka nisur hetimin për kryetarin e Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla, koncesionin e sterilizimit si dhe një pjesë të çështjeve që kanë pasur krimet e rënda. Po ashtu ka përfunduar hetimi për dosjen ‘Avdylaj’ duke dërguar në gjykatë 28 persona.