Edhe Kisha e re e Gjirokastrës ishte ndërtuar pa leje, Rama i jep çertifikatën e legalizimit

Marrëzia me ndërtimet pa leje që janë bërë në Shqipëri nuk ka prekur vetë objektet e banimit, bizneset, hotelet, magazinat, motelet etj… por edhe objektet e kultit, apo ato që presupozohet të jenë “Shtëpia e Zotit”.

Qindra Kisha e Xhami në të gjithë vendin janë ngritur pa leje dhe më pas hynë në procesin e legalizimit. E tillë ishte edhe katedralja ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër.

Kryeministri Edi Rama i dorëzoi mitropolitit të Gjirokastrës, lejen e legalizimit kishës më të re në Gjirokastër, e cila  hapi dyert vetëm një javë më parë, të dielën e Pashkëve.

Gjatë dorëzimit të dokumentit të legalizimit të kishës, së bashku me shkollën pranë saj, kryeministri Rama nënvizoi se ka nisur një proces tërësor i legalizimit të pasurive të komuniteteve fetare.

“Më vjen shumë mirë të kujtoj se kemi bërë të mundur ndërtimin e kësaj kishe. Po ashtu më vjen shumë mirë të nënvizoj që kemi ndërmarrë një proces tërësor të legalizimit të pasurive të komuniteteve fetare, ku me shumë kënaqësi po i dorëzoj përfaqësuesit të Zotit këtu, në këtë kishë, këto dokumente”, tha Rama.