Edhe LSI e do për vete ‘tepsinë’, Zamira Rami shkarkon tre administratorë të PS-së

Kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami, ka shkarkuar së fundi tre administratorë të bashkisë që ajo drejton. Ështja fjala për administratorin e Lazaratit, Mexhit Jupi; të Cepos, Leonard Mustafaraj dhe Picarit, Krenar Koshi. Njësoj siç veproi me shkarkimin e nënkryetarit Ylli Muho as në këtë rast nuk jepet motivacioni, por nuk është e vështirë të merret me mend. Shkarkimet bëhen me qëllim për t’i hapur rrugë emërimit të njerëzve të LSI-së, të mbetur pa punë pas daljes në opozitë.

Por ka zëra që thonë se këto pozicione do t’u jepen njerëzve të PD-së, parti me të cilën tani LSI-ja është në koalicionin opozitar. Sidoqoftë mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme se si do të rrjedhin gjërat. Javën e shkuar, Zamira Rami emëroi një shefe të re kabineti, ish-kandidaten për deputete të LSI-së, Freskida Çako. Ndërsa më hërët Krenar Kulla, kryetari i LSI-së në Gjirokastër, u emërua në postin e sekretarit të përgjithshëm./argjirolajm.net