Edhe Mirela Kumbaro tallet me Vangjel Tavon: Do të jem deputete me kohë të plotë, jo me një numër telefoni

Flamur Golemi nuk është kandidati i vetëm i PS-së në Gjirokastër që ka sulmuar dhe ironizuar rivalin Vangjel Tavo sa i përket asaj që qarkullon si legjendë urbane në jug te vendit, se Tavo mburret duke thënë që “numrin e tij të telefonit e kanë të gjithë”.

Së fundi është edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka shënjestruar deputetin e LSI-së, ndonëse nuk e ka përmendur nominalisht me emër. Gjatë hapjes së fushatës në Libohovë, Kumbaro tha se do të jetë një deputete me kohë të plotë, jo një deputete thjesht me një numër telefoni.

Më poshtë deklarata e saj e plotë.

“Nuk ka projekt më të mirë për Libohovën dhe nuk ka provë më të mirë sesa kur një libohovite që nuk i është ndarë Libohovës për 50 vjet, se ka gjakun, shtëpinë dhe familjen, kthehet në Libohovë si vajzë libohovite, si ministre, që kthehet në Libohovë si deputete me kohë të plotë dhe jo deputete me një numër telefoni. Nuk të bën deputete një numër telefoni. Ky nuk është argument. Numrin tim të telefonit e kanë të gjithë, por nuk do guxoj kurrë të mburrem me këtë gjë. Deputet të bën puna në Parlament, puna në qeveri”

/Libohova Online/