Ekstradohet nga Belgjika gjirokastriti i kërkuar për trafik droge

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim tri vite më parë, është ekstraduar së fundmi nga Belgjika, si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Brukselit.

Është kryer ekstradimi i Agim Avdulit, i cili në Shtator të 2014-ës tentoi që të trafikojë drejt Greqisë një sasi prej 51 kilogramë lëndë narkotike “Cannabis sativa”. Ndryshe nga dy të tjerë, ai mundi t’i shpëtojë arrestimit përmes arratisjes.

Detaje të policisë:

Ekstradohet nga Interpol Tirana një person për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”.

Nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Brukseli/Belgjikë drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar:

Agim Avduli., 39 vjeç, lindur në Gjirokastër.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 22 të Kodit Penal.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Më datë 03.09.2014 shtetasi Agim AVDULI, në bashkëpunim me persona të tjerë ka tentuar që të trafikojë drejt shtetit Grek një sasi rreth 51 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Punonjësit e policisë kanë ndaluar në Pogradec automjetet ku po transportohej lënda narkotike dhe kanë arrestuar shtetasit K.B, O.Z dhe A.B, ndërsa shtetasi Agim Avduli ka mundut t’i shpëtojë ndjekjes së policisë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Brukselin, u bë i mundur arrestimi i tij në Belgjikë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.