Emergjenca nga dëbora, nënkryetari i Bashkisë Libohovë ‘sherr’ me Prefektin e Gjirokastrës (VIDEO)

Ndërkohë që reshjet intensive të borës vijojnë dhe zona të ndryshme janë izoluar, zyrtarët përplasen me njëri tjetrin, kush e kush të mund të heqë përgjegjësinë nga vetja. Kjo po ndodh edhe në mbledhjen e emergjencave Civile në Gjirokastër, ku Prefekti Astrit Aliaj është përplasur me zyrtarët e Bashkive të këtij qarku dhe drejtuesit e njësive administrative.

“Vetë njësitë Administrative, dhe vetë Bashkitë, janë ato që janë përgjegjëse për çdo situatë të krijuar në Qark. Pra në qoftëse një drejtor kërkon ndihmë nga prefekti, në radhë të parë duhet t’i drejtohet Bashkisë ku ai është i regjistruar, ku ai derdh taksat. E kam ngritur disa herë. E shikojnë Prefekturën sikur ka çdo gjë në dorë., prandaj do të doja edhe dikutimet tuaja. Këto janë probleme që kanë të bëjnë me masat që keni marrë ju që në fillim të vitit”, tha prefekti.

Por pas kësaj, nënkryetari i Bashkisë së Libohovës, u shpreh se ka në dispozicion vetëm një makinë dhe në Zagori nuk mund të ndërhyhet. Kjo ka bërë që Prefekti të ngrejë zërin, e të kërkojë nga nënkryetari që të përdorë mjetet e fshatit por me naftë nga Bashkia. Por sërish nënkryetari është shprehur se fondi i Emergjencave Civile është 10 milionë lekë të vjetra dhe nuk mjafton.

Nga ana tjetër, Drejtoresha e Arsimit ka denoncuar para Prefektit rënien e çatisë së kalçetos në shkollën Pandeli Sotiri. Por ndërsa Qarku i Gjirokastrës përballet me të gjitha këto probleme të shkaktuar nga reshjet intensive të mbarura, por dhe nga papërgjegjshmëria e tyre, burokratët të mbledhur në një zyrë të ngrohtë, përpiqen të kalojnë përgjegjësitë, ndërsa nga ana tjetër, banorët e bllokuar kërkojnë ndihmë.