Emergjenca nga zjarret, Luiza Mandi i bën apel libohovitëve: Të tregohemi të kujdesshëm dhe të bashkëpunojmë me autoritetet

Kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi bën thirrje për një angazhim të përbashkët për të përballuar situatën emergjente nga zjarret.

Me anë të një mesazhi të postuar në faqen e saj në Facebook, Mandi i kërkon banorëve të evitojnë zjarret, sidomos ato për rigjenerimin e kullotave dhe të njoftojnë në kohë shërbimin zjarrfikës.

Më poshtë mesazhi i plotë i saj.

Thirrje për një angazhim të përbashkët

Sikundër jeni në dijeni, i gjithë vendi po kalon një situatë emergjente nga zjarret e shumta që janë regjistruar prej fillimit të muajit korrik dhe që për fat të keq vazhdojnë ende. Përjashtim nga kjo gjendje nuk bën as Libohova. S’jemi të mbrojtur nga zjarret dhe as kemi infrastrukturën më të mirë të mundshme për t’ju përgjigjur siç duhet çdo situate që krijohet. Prandaj duhet më shumë se kurrë të tregohemi të kujdesshëm, përpara se të jetë vonë. I bëj thirrje çdo qytetari të Bashkisë Libohovë të njoftojë menjëherë shërbimin zjarrfikës sapo konstaton një vatër zjarri kudo qoftë ajo. Evitoni djegien e mbeturinave të ndryshme sezonale pranë bahçeve apo tokave tuaja. Barinjtë të heqin dorë nga zjarret e qëllimshme gjoja për të rigjeneruar kullotat. Ky është një zakon i mbrapshtë që vë në rrezik çdo vit sipërfaqe të tëra, pronat tona dhe madje jetë njerëzore. Pa mirëkuptimin dhe ndihmën tuaj, kjo situatë emergjente nuk mund të përballohet e vetme, prandaj duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të bashkëpunojmë me autoritetet.

Faleminderit