Emergjenca nga zjarret, Vangjel Tavo ‘braktis’ Dropullin. Asnjë reagim për situatën kritike

Ditët e fundit fshatrat e Dropullit po kalojnë një situatë emergjente për shkak të vatrave të zjarrit.

Një ditë më parë flakët shkrumbuan një shtëpi në fshatin Grapsh, ndërsa sot raportohet për dy shtëpi të djegura në fshatin Goricë.

Ajo që bën përshtypje është fakti se deri më tani s’ka asnjë reagim nga deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo. Të paktën nëse i referohemi faqes së tij në Facebook prej nga ai ka komunikuar shpesh me qytetarët, sidomos gjatë fushatës elektorale.

Postimi i fundit i Tavos daton më 4 korrik. Ndërkohë reagime për situatën në Dropull ka patur nga deputetja dhe ministrja Mirela Kumbaro, deputeti Flamur Golemi dhe kreu i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko.

Por fakti që s’ka një reagim nga Tavo përmes faqes së tij në Facebook, nuk e përjashton që ai të jetë në terren për t’ju gjendur afër banorëve të Dropullit. Sidoqoftë deri më tani s’ka raportime nga terreni. Burime të tjera thonë se Tavo është me pushime.

Reagimi i tij në një situatë të tillë do të ishte ndoshta edhe më i përligjur se kurrë, pasi Tavo prej 25 qershorit  radhitet në kampin e opozitës. Kujtojmë gjithashtu se partia e tij, LSI, ka qenë kritike e ashpër me qeverinë ‘Rama’ për mënyrën se si po menaxhohet situata emergjente nga zjarret në vend.

/ArgjiroLajm.net/