Emrat/ Lista paraprake e kandidatëve për deputetë të PD-së në Gjirokastër

Ndonëse vëmendja e opozitës është përqëndruar te protesta përballë Kryeministrisë,  në prapaskenë PD po punon për zyrtarizimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 18 qershorit. Dhe duke qenë se është kohë listash, ka shumë mes atyre që pretendojnë të zënë një vend, qoftë edhe vetëm duke shkuar te çadra e protestës, për të rënë në sy të Bashës e Berishës.

Por  përtej kësaj duket se zyrtarizimi i listave për deputetë është vetëm çështje kohe dhe në selinë blu ka pak dilema. Sa i përket qarkut Gjirokastër, i cili çon në Kuvend 5 deputetë, ArgjiroLajm.net zbardh emrat që Partia Demokratike do të ketë në listë. Basha pritet t’ja besojë kryesimin e listës Tritan Shehut, i cili në zgjedhjet lokale të vitit 2015 ishte i deleguari i Kryesisë së PD-së për Gjirokastrën.

Por kandidimi i tij nuk mirëpritet nga drejtuesit e PD-së Gjirokastër dhe ndoshta me zyrtarizimin e Shehut mund të prodhojë një konflikt të brendshëm. Shehu konsiderohet një figurë e konsumuar politike dhe që nuk mund të frymëzojë më qytetarët. Megjithatë mbetet për t’u parë. Nëse PD do të respektojë Kodin Zgjedhor, që përcakton se kandidati i dytë në listë duhet të jetë femër, atëhere në vend të dytë pritet të jetë Mimoza Çomo, ish-prefektja e Gjirokastrës. Por kandidimi i saj mund të spostohet nëse një tjetër “Çomo” do të arrijë të jetë pjesë e listës së PD-së.

Është fjala për ish-kryebashkiakun Altin Çomo, i cili po lobon përmes presidentit Bujar Nishani për të qenë kandidat për deputet i PD-së. Çomo vjen nga humbja e Bashkisë Libohovë dy vjet më parë dhe nuk dihet nëse Basha do t’i besojë një vend në listën e deputetëve. Në vendin e tretë të listës është menduar Kosta Barka, ish-ministri i Punës gjatë qeverisjes së PD-së në vitet 2005-2009. Barka shihet një “magnet” për të tërhequr vota nga minoriteti grek në Dropull, ndonëse pesha e tij elektorale në minoritet është shumë e ulët. Vendi i katërt dhe i pestë në listën e PD-së i takon rretheve Tepelenë e Përmet.

Esheref Shehu, i përfolur edhe si kandidat për kryetar i Bashkisë Tepelenë gjatë zgjedhjeve vendore, pritet të jetë në vendin e katërt të listës së PD-së. Ndërkohë që Theodhoraq Vangjeli do renditet i fundit në listë dhe është kandidati i PD-së për Përmetin. Vangjeli ka qenë ish-drejtor Ujësjellësi në Përmet dhe anëtar i Kryesisë së PD-së në këtë rreth. Ndonëse kjo listë nuk është zyrtarizuar ende, debatet dhe pakënaqësitë e para mes demokratëve kanë nisur dhe në ditët e ardhshme pritet të ketë zhvillime për këtë çështje.

Shumë prej anëtarëve të PD-së apo kontribuesve ndër vite në Gjirokastër, nuk e shohin Tritan Shehun si një figurë përbashkuese për këtë parti dhe kanë frikë se mos PD humbet sërish terren njësoj si në zgjedhjet e vitit 2013, kur kjo parti arriti të merrte vetëm një mandat deputeti. Ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2015 fitoi vetëm Bashkinë e Përmetit. Sfida e PD në këto zgjedhje është të nxjerrë sërish dy deputetë në qarkun Gjirokastar, por nëse merr në konsideratë dy klanet që ka kjo parti në Gjirokastër, si dhe faktorin LSI, situata bëhet më e vështirë se kurrë.

Sidoqoftë mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin gjërat deri në ditët e zgjedhjeve. Surprizat me listat për deputetët nuk kanë munguar asnjëherë në prag të zgjedhjeve në Shqipëri dhe ndoshta edhe kjo listë paraprake e PD-së për Gjirokastrën mund të përmbyset. Megjithatë duhet pritur!/ ArgjiroLajm.net