“Ethet e skrapit”, puseta pa kapakë në rrugët e Libohovës (Foto)

02Vjedhja e kapakëve të pusetave është një problem dy dekadësh në Shqipëri dhe Libohova s’ka se si bën përjashtim nga kjo marrëzi. Në shumë prej rrugëve të Libohovës, kapakët e pusetave mungojnë. Problematike mbetet rruga nga pazari për te shkolla 9- vjeçare “Avni Rustemi”. Në të gjithë gjatësinë e saj është e vështirë të gjesh pusetë me kapak, përjashto dy ose tre, të cilat thjesht ngaqë janë para hyrjes së shtëpisë së dikujt kanë shpëtuar nga dora e grabitësve.

Por puseta pa kapakë gjen edhe  në qendër të Libohovës, ku në fund të vitit të shkuar humbi jetën edhe një i moshuar. Ky i fundit, pas rrëzimit në një prej pusetave pa kapak përpara shtëpisë së kulturës nuk i mbijetoi dot plagëve të marra. Rrezikshmëri të lartë ka sidomos në orët e natës, ku përveç pusetave pa kapakë, mungon edhe ndriçimi në disa rrugë. Kapakët e pusetave vidhen për t’u shitur më pas për skrap.

Në përgjithësi janë qytetarë romë ata që i gjurmojnë këto kapakë, por s’kanë munguar rastet kur edhe vetë libohovitë të papërgjegjshëm i kanë grabitur. Se kur do të mbyllen këto puseta të hapura nuk dihet me siguri, por ndoshta ka ardhur koha për një zgjidhje të ngjashme me atë që u gjend në Durrës, ku pusetat u mbyllën me kapakë plastik të fortë, duke shmangur kështu vjedhjen e tyre. Jo çdo gjë duhet kërkuar nga shteti, nëse ne s’jemi të përgjegjshëm.

04

01

03