Familja Libohova, dy vëllezër dëshmorë dhe dy, armiq të popullit

993496_781818291845190_299520601_nPas mbarimit të Luftës, familja jonë, e cila ishte e lidhur e gjitha me Lëvizjen Antifashiste, pati një fat disi të veçantë. Ndërsa dy vëllezërit e mi, Aqifi me Skënderin, që kishin qenë partizanë dhe u vranë në Luftë, u shpallën Dëshmorë të Atdheut, babai ynë, Tekiu, me gjithë vëllanë e madh, Rexhaiun, u arrestuan dhe u dënuan si armiq të popullit. Nisur nga kjo për çdo 5 Maj, në Ditën e Dëshmorëve, autoritetet e Rrethit të Lushnjës vinin për vizita vetëm te familja ime për të nderuar kujtimin e dy vëllezërve, Aqifit dhe Skënderit, ndërsa te vëllai ynë i madh Rexhaiu, që e kishte shtëpinë vetëm pak hapa më larg, nuk shkeli njeri asnjëherë”.

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Shqip” është 80-vjeçari Gëzim Libohova, ish-partizan i Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Shehut gjatë periudhës së pushtimit nazifashist të Shqipërisë dhe më pas mësues e regjisor në Estradën Profesioniste të qytetit të Lushnjës, i cili rrëfen gjithë historinë tragjike të familjes së tij; dy vëllezër iu vranë në luftë, ndërsa babai, Teki Libohova, dhe vëllai i madh, Rexhaiu, u arrestuan dhe vuajtën në burgjet e regjimit komunist, si armiq të popullit. Po cila është e kaluara e familjes Libohova dhe origjina e saj? Si u lidhën ata me Lëvizjen Antifashiste dhe cili ishte kontributi i tyre në luftë? Përse u dënua Teki Libohova dhe djali i tij i madh, Rexhaiu, si vuajtën ata gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës nga lufta e tmerrshme e klasave dhe përse Skënderit e Aqifit nuk iu akordua kurrë titulli i lartë “Hero i Popullit”? Lidhur me këto e të tjera ngjarje dhe fakte nga historia sa e dhimbshme, aq dhe tragjike e familjes së njohur Libohova me origjinë nga qyteza me të njëjtin emër në Jug të Shqipërisë, na njeh dëshmia e Gëzim Libohovës, vëllait të dy Dëshmorëve të Atdheut dhe dy armiqve të popullit.

KUSH ISHTE REXHAI LIBOHOVA

Po kush ishte Rexhai Libohova, ku ishte shkolluar ai dhe cila ishte e kaluara gjatë viteve të Monarkisë? Lidhur me këtë, i vëllai, Gëzimi, dëshmon: “Rexhaiu, që ishte dhe vëllai ynë i madh, lindi më 27 maj të vitit 1912 në qytetin e Lushnjës. Duke qenë dhe djali i madh i familjes, ai u rrit nën kujdesin e gjyshes sonë, Nysietit, e cila i qëndronte gjithnjë pranë. Gjatë ditëve që zhvillonte punimet Kongresi i Lushnjës, në janarin e vitit 1920, disa nga delegatët e asaj mbledhjeje të famshme që ishin miqtë e babait tonë, e morën Rexhaiun 8-vjeçar brenda shtëpisë ku zhvillohej kongresi, dhe nga ajo kohë ne ruajmë një fotografi që ata bënë me të. Në vitin 1922, kur senatori francez Justin Godart bëri një vizitë në shkollën femërore të qytetit të Lushnjës, Rexhaiu i vogël i doli para, duke i uruar mirëseardhjen pa e porositur njeri. Miku francez u çudit nga ai gjest dhe më pas iu lut gjyshit tonë Halid Efenfiut që ta merrte Rexhaiun e ta shkollonte nën kujdesin e tij në Francë. Gjyshi në fillim ia dha pëlqimin, por më pas, duke parë shqetësimin e gjyshes sonë, të nesërmen i tha Godartit se nuk mund t‘ia jepte djalin me vete, pasi e kishte të vështirë që ta shkëpuste nga gjyshja. Pasi Rexhaiu mbaroi shkollën fillore në qytetin e Lushnjës, të kënaqur nga rezultatet e tij, babai ynë, Tekiu, vendosi që ta dërgonte për të studiuar në Itali. Kështu në vitin 1928 ai u regjistrua në kolegjin internacional “Monte Maria” të Romës (shkollë trevjeçare), të cilën ai e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1930. Pas kësaj Rexhaiu u kthye në Shqipëri dhe babai e dërgoi në qytetin e Vlorës që të vazhdonte përsëri mësimet në Shkollën Tregtare, të cilën ai e mbaroi po me rezultate të shkëlqyera në vitin 1933. Pas kësaj, me këmbënguljen e disa të afërmve të familjes sonë, babai e dërgoi Rexhaiun në Selanik të Greqisë, ku ai studioi në Institutin Tregtar Italian të atij qyteti, ku dhe u diplomua për Raxhioneri (Financë). Pasi u kthye në Shqipëri, ai fitoi një konkurs dhe iu dha e drejta për të punuar si sekretar-konsulent financiar në Dhomën e Tregtisë të qytetit të Elbasanit. Në këtë qytet Rexhaiu u njoh dhe u martua me vajzën e Shefqet Daiut (Ikbalen), i cili kishte shërbyer si sekretar i Ismail Qemalit dhe në vitin 1912 kishte nënshkruar me dorën e tij aktin e shpalljes së pavarësisë në gjuhën osmane. Ndonëse Rexhaiu punonte në Dhomën e Tregtisë së atij qyteti, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut ai ndiqte me vëmendje të madhe zhvillimet politike në vend. Për këtë ai nxitej edhe nga xhaxhai ynë, dr. Mustafa Libohova, i cili ishte tepër i njohur në rrethet politike të asaj kohe, pasi në vitin 1923 kishte vënë kandidaturën për deputet me grupin e opozitës që kryesohej nga Fan Noli. Gjatë atyre viteve, Rexhaiu, pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke u marrë me aktivitetin e tij profesional në Dhomën e Tregtisë dhe në shtëpi duke lexuar libra nga biblioteka jonë e pasur, të cilën ai e kishte krijuar vetë”, kujton Gëzim Libohova për vëllanë e tij të madh Rexhaiun, i cili pasi u shkollua për financë në Itali dhe Greqi gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, shërbeu si sekretar konsulent i Financës në Dhomën e Tregtisë së Elbasanit dhe Lushnjës.

ARRESTIMI I REXHAIUT NGA ITALIANËT

Po cili ishte aktiviteti i Rexhaiut gjatë viteve të pushtimit nazifashist të Shqipërisë dhe përse ai nuk u radhit në brigadat partizane, ashtu si tre vëllezërit e tjerë më të vegjël, Aqifi, Skënderi dhe Gëzimi? Lidhur me këtë, 80-vjeçari Gëzim Libohova dëshmon: “Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Rexhaiu ishte një nga ata që pas 7 prillit të vitit 1939 e kundërshtoi hapur agresionin dhe doktrinën fashiste, e si rezultat i kësaj ai u fut në listat e atyre personave që italianët vendosën t‘i internonin në Itali. Pas internimit në Itali, aty nga viti 1940, atë e dërguan për të vazhduar Shkollën e Plotësimit të Oficerëve në qytetin e Spoletos. Duke qenë se Rexhaiu nuk kishte asnjë dëshirë që të dilte oficer, komanda e shkollës e përjashtoi nga radhët e saj me motivacionin; “për paaftësi”. Pas kësaj, Rexhaiu u kthye në Shqipëri dhe u vendos përsëri në qytetin e Elbasanit, ku e priste bashkëshortja, Ikbalia. Në atë kohë, në Elbasan, vazhdonte Shkollën Normale edhe vëllai tjetër, Skënderi, dhe ata ishin aq shumë të lidhur me njëri-tjetrin, saqë nuk bënin asnjë veprim pa rënë të dy në një mendje. Që nga fillimi i vitit 1941, Rexhaiu u lidh ngushtë me rrethet antifashiste që vepronin në Elbasan dhe si rezultat i kësaj, më 7 nëntor të vitit 1941, ai u arrestua nga italianët dhe u dërgua në burgun e Tiranës. Gjykata e Lartë Ushtarake e dënoi me tre vjet burg për aktivitetin e tij antifashist (aktakuza me Nr. 4337/3435 R.S.) dhe pasi u mbajt në burgun e Tiranës deri në majin e vitit 1942, u transferua që andej për në burgun e Elbasanit. Në atë burg Rexhaiu qëndroi deri në muajin nëntor të vitit 1942 kur u lirua me rastin e një amnistie për nder të Ditës së Flamurit. Gjatë kohës që Rexhaiu vuante dënimin në burgun e Elbasanit, në prillin e vitit 1942 atij i lindi vajza Elisabeta, dhe e ëma Ikbalia, ia çoi për ta parë prapa hekurave të burgut. Aty nga dhjetori i vitit 1942, në shtëpinë e Rexhaiut në Elbasan, e cila ishte fare pranë me atë të Tomorr Sinanit, shkoi Enver Hoxha dhe u takua me të. Pasi i uroi daljen nga burgu, Enveri i bëri thirrje Rexhaiut që ai të rreshtohej në radhët e Frontit Nacionalçlirimtar dhe i rekomandoi që të shkonte në qytetin e Lushnjës ku ishte dhe familja e prindërve tanë. Rexhaiu pranoi me kënaqësi që të radhitej në anën e frontit, por ai nuk pranoi të vinte në Lushnjë, duke i thënë Enverit se atje rrezikohej pasi i kishte të tre vëllezërit të lidhur me luftën. Ndonëse Enveri nuk e kundërshtoi dhe pas kësaj ata u ndanë miqësisht, ai qëndrim skeptik do t‘i kushtonte rëndë Rexhaiut”, kujton Gëzim Libohova për vëllanë, Rexhaiun, i cili pas takimit me Enver Hoxhën u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke dhënë një kontribut të madh moral e material.

DËNIMI ME BURG POLITIK I TEKIUT DHE REXHAIUT

 Ndonëse aty nga fundi i vitit 1944, dy djemtë e familjes Libohova, Gëzimi me Skënderin ishin partizanë dhe vëllai tjetër Aqifi ishte vrarë në luftë, babai i tyre, Tekiu, me djalin e madh Rexhaiun, u arrestuan nga komunistët. Lidhur me këtë, Gëzim Libohova dëshmon: “Babai ynë u arrestua nga komunistët si njeri i ‘dyshimtë‘, që më datën 5 nëntor të vitit 1944 (me urdhër nr. 431) të firmosur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe pasi u mbajt për disa kohë i arrestuar, u mësua se ishte babai i tre partizanëve dhe u lirua. Po kështu, disa muaj më pas, në fillimin e vitit 1945, u arrestua edhe Rexhaiu, i cili kishte dhënë një kontribut të madh në luftë jo më pak se ne të tre vëllezërit. Ai u nxor para Gjyqit Special për Kriminelët e Luftës, duke u akuzuar se kishte qenë shkaktari kryesor për zbulimin e Këshillit Nacionalçlirimtar të Elbasanit dhe arrestimin e Tomorr Sinanit. Ndonëse të dy ato akuza absurde u rrëzuan e u hodhën poshtë nga vetë nëna e Tomorr Sinanit dhe arsimtari i nderuar Hysen Dylgjeri, Rexhaiu u dënua me pesë vjet burg, të cilat i vuajti në kampin e Maliqit dhe Vloçishtit. Ai u lirua në majin e vitit 1949 dhe kur u kthye në shtëpi, e gjeti babanë të vrarë moralisht dhe shpirtërisht nga qëndrimi që kishin mbajtur komunistët ndaj familjes sonë, që kishim dhënë gjakun e dy vëllezërve në luftë. Në vitet që pasuan, regjimi komunist ra në “hall” me familjen tonë dhe nuk dinte si të na cilësonin: Familje të deklasuarish apo familje dëshmorësh. Por sidoqoftë “zgjidhja” u gjet, dhe për çdo 5 Maj që ishte Dita e Dëshmorëve, autoritetet e larta të Rrethit të Lushnjës vinin për vizitë vetëm te shtëpia ime meqënëse kisha qenë partizan, për të nderuar kujtimin e Aqifit e Skënderit, kurse te Rexhaiu që banonte vetëm pak hapa më larg, nuk shkeli njeri asnjëherë”, e përfundon rrëfimin e tij 80-vjeçari Gëzim Libohova, vëllai i dy Dëshmorëve të Atdheut dhe njëkohësisht djali dhe vëllai i dy armiqve të popullit.

Të parët e tyre që ishin diplomuar në Stamboll, luftuan për Shqipërinë

FAMILJA E TEKI LIBOHOVËS, MIKU I SENATORIT FRANCEZ JUSTIN GOTARD

Origjina e familjes së Teki Libohovës, apo siç njihet ndryshe me mbiemrin Ismailati, është nga qyteza jugore e Libohovës së Gjirokastrës, prej së cilës ata kanë trashëguar dhe mbiemrin e tyre. Babai i Tekiut dhe njëkohësisht gjyshi i pesë vëllezërve Libohova, quhej Halit, ndërsa nëna e tij, Nysieti, ishte nga fisi i njohur Kumbaro, po nga Libohova. Halit Libohova kishte mbaruar studimet e larta dhe ishte diplomuar për jurisprudencë në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, Stamboll. Pas mbarimit të studimeve, Halit Zenel Efendiu, siç e thërrisnin atë në shenjë respekti, u kthye në Shqipëri në vitin 1853, dhe u emërua Kadi (gjykatës) në Prefekturën e Beratit, ku ai punoi për disa vjet me radhë. Bashkëshortja e Tekiut quhej Hedije dhe ishte e bija e Elmaz Mustafarajt nga Kanina e Vlorës, një prej familjeve më të dëgjuara në atë krahinë, e njohur për kontributin dhe pjesëmarrjen e saj në luftërat që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntorin e 1912. Teki Bej Libohova ishte një ndër miqtë më të ngushtë të politikanit dhe mikut të Shqipërisë, senatorit francez, Justin Gotard, si dhe i patriotit të madh Aqif Pashë Elbasanit. Aq miqësi të ngushtë kishte Teki Libohova me Aqif Pashën, saqë djalit të tij të dytë, në shenjë respekti ai i vuri emrin e tij, duke e quajtur Aqif. Aty rreth vitit 1903, për arsye ekonomike, familja Libohova (Ismailati), u shpërngul nga qyteza e Libohovës dhe u vendos në qytetin e vogël të Lushnjës në zemër të Myzeqesë dhe fushave të saj pjellore. Teki Libohova me bashkëshorten Hedie Mustafaraj patën tetë fëmijë dhe i pari i tyre ishte Rexhaiu, i cili lindi në vitin 1912. Pas tij vinin Aqifi (1914), Merzija (1916), Skënderi (1920), Fatbardha (1926), Gëzimi (1928), Fatosi (1930) dhe Liljana (1934). Gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë, në vitet 1939-1944, e gjithë familja e Teki Libohovës u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste dhe tre nga djemtë e saj, Aqifi, Skënderi dhe Fatosi, u inkuadruan në radhët e brigadave partizane, ndërsa vetë Tekiu dhe djali i tij i madh Rexhaiu, ndonëse nuk dolën partizanë, dhanë një kontribut të madh në atë luftë. Ndërsa pas vitit 1944, Aqifi me Skënderin që ishin vrarë në luftë u shpallën Dëshmorë të Atdheut dhe eshtrat e tyre u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve, babai i tyre me Rexhaiun u arrestuan dhe u dënuan me burg politik, duke u etiketuar si armiq të popullit.

SKËNDERI U VRA NË VISHEGRAD TË BOSNJËS, NDËRSA AQIFI, NË SKRAPAR

 Dy vëllezërit, Aqifi dhe Skënderi, Dëshmorë të luftës

 Aqif Libohova, që ishte dhe djali i dytë i familjes, pasi mbaroi gjimnazin në fillimin e viteve 1930, u aktivizua si lojtar dhe trajner me ekipin e futbollit “Kongresi i Lushnjës”. Gjatë viteve të luftës ai mori pjesë aktive me njësitet guerile të qytetit të Lushnjës dhe për aktivitetin e tij antifashist u arrestua nga italianët së bashku me vëllanë e madh, Rexhaiun. Aqifi u mbajt në burgun e Tiranës deri në prillin e vitit 1942 dhe më pas u lirua për mungesë provash. Më pas ai doli partizan me grupin e Myzeqesë dhe u vra duke luftuar kundër gjermanëve në malin e Ostrovicës të Rrethit të Skraparit. Skënderi, që ishte dhe i treti nga pesë vëllezërit e familjes Libohova, pasi mbaroi shkollën fillore në qytetin e lindjes, në Lushnjë, i vazhdoi më tej mësimet në Normalen e Elbasanit ku dhe u lidh ngushtë me lëvizjen komuniste. Që në majin e vitit 1942 ai mori pjesë aktive në njësitin gueril të qytetit të Lushnjës dhe si rezultat i kësaj, autoritetet italiane e cilësuan atë si një person me rrezikshmëri të lartë dhe nxitës të turbullirave. Pas kësaj për Skënderin u nxor një urdhër nga Ministria e Arsimit, ku ai u përjashtua nga shkolla Tregtare e Vlorës (ku kishte shkuar pas mbarimit të Normales së Elbasanit) dhe nga të gjitha shkollat e Shqipërisë. Nisur nga kjo ai u largua nga qyteti i Lushnjës dhe në dhjetorin e vitit 1942 u radhit në të parën çetë partizane të Myzeqesë. Më 26 janar të vitit 1943, Skënderi mori pjesë dhe ishte organizatori kryesor i demonstratës së madhe antifashiste që u bë në qytetin e Lushnjës ku ai mbajti një fjalim para të gjithë popullit që ishte grumbulluar në atë protestë dhe si rezultat i asaj, ai u shpall person në kërkim nga autoritetet italiane. Në prillin e vitit 1943, Skënderi u caktua me detyrën e komisarit të batalionit partizan të Myzeqesë ku u dallua si organizator dhe drejtues i aftë në luftimet që zhvilloi ai formacion partizan. Pak muaj më vonë, ai u dërgua me detyra drejtuese në grupin partizan të krahinës së Shpiragut të Beratit dhe në marsin e vitit 1944, ai u caktua me detyrën e komisarit të Batalionit të Parë në Brigadën e Shtatë Partizane që u formua në fshatin Vlushë të Skraparit. Skënderi mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi Brigada e Shtatë, si në Gëziq e Shpal të Mirditës dhe deri jashtë kufijve shtetërorë, duke përshkuar të gjithë itinerarin e saj, ndonëse i plagosur shtatë herë në trup. Skënder Libohova u vra më 16 dhjetor të vitit 1944 ndërsa ishte duke luftuar trup me trup kundër forcave gjermane në Kalanë e Medunit në Mal të Zi. Si Skënderi ashtu dhe Aqifi u propozuan disa herë që t‘ju jepej titulli i lartë Hero i Popullit, por ajo gjë nuk u bë e mundur për arsye se babai i tyre, Tekiu dhe vëllai Rexhaiu, ishin dënuar si armiq të popullit. /Dashnor Kaloçi/ Gazeta “Shqip”

Comments