Fëmijët autikë në Gjirokastër, prindërit apelojnë për ndihmë

Nga Blerim Kore

Fredi Cico është babai i një vajze 9-vjeçare, e cila trajtohet në Qendrën e  Përkujdesjes për Fëmijët Autikë në Gjirokastër. “Nuk doja që fëmija im, pavarësisht problemeve shëndetësore, të  mbyllej brenda në shtëpi dhe të largohej nga moshatarët. Ajo vjen prej disa vitesh këtu, për të pasur mundësi të përmirësohet”, tregon ai. Por qendra ka nevojë për mbështetje sepse mundësitë i ka të kufizuara. “Mendoj se mbështetja financiare  në pajisje do të nxiste më shumë fëmijët dhe punonjësit. Fëmijët kanë  talente të veçanta në pikturë, muzikë etj. dhe të punosh me ta nuk është e lehtë”, -shton ai.

Fredi është vetëm një nga prindërit e fëmijëve që janë pjesë e kësaj qendre. Në muajin e sensibilizimit për fëmijët me autizëm, ata bëjnë thirrje për mbështetje. Qendra funksionon prej katër vitesh dhe këtu marrin kujdes të specializuar 40 fëmijë me probleme të autizmit, sindromën down, etj. jo vetëm nga Gjirokastra, por edhe nga rrethet e Përmetit e Tepelenës. Veprimtaria e saj financohet nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Këshilli i Qarkut, Gjirokastër.

“Ky është muaji i sensibilizimit dhe përkujdesjes për këtë grup fëmijesh dhe ne presim mbështetje nga subjektet publike dhe private”, thotë  Lindita Luzo, drejtuese e qendrës. “Donacionet financiare nga biznesi lokal apo subjekte te tjera, do të na krijonin mundësi që ne të zgjeronim stafin dhe shërbimet që ofrojmë për këtë grup fëmijësh. Do t’i përfshinim më shpesh në aktivitete të ndryshme pikture, muzike etj. duke nxitur te ta talente të ndryshme”.

Në fillim të prillit, shumë njerëz vizituan qendrën dhe kanë ofruar ndihmën e tyre. Dje, disa të rinj argëtuan vogëlushët me lojëra të ndryshme, me dhurimin e mjeteve shkollore etj.

” E veçanta e këtij organizimi, është se shumica prej nesh jemi të specializuar në psikologji dhe në shkencat sociale çka mundëson t’u qëndrojmë pranë, në mënyrën e duhur këtyre fëmijëve”, thotë Zerina Qendro, e cila ka përfunduar studimet për shkencat shoqërore./konica.al