Festa Kombëtare e Greqisë, Meta: Shqiptarët dhe grekët meritojnë të jetojnë gjithmonë në harmoni e begati

Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Greqisë. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kreu i Shtetit thekson se dy popujt duhet të jetojnë në harmoni midis tyre, ndërsa minoriteti grek dhe komuniteti shqiptar në Greqi, janë ura shumë të forta lidhëse

Mesazhi i plotë i Metës:

I lumtur të merrja pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Greqisë.
Në këtë ditë feste e gëzimi të fqinjëve tanë uroj që edhe bashkëpunimi e partneriteti ynë të udhëhiqen nga trashëgimia më pozitive dhe e ardhmja e përbashkët e dy popujve tanë në një rajon më të begatë të Evropës së Bashkuar.

Minoriteti grek dhe komuniteti shqiptar në Greqi, ura shumë të forta lidhëse në marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale, por edhe mjaft premtuese mes dy popujve tanë. Shqiptarët dhe grekët meritojnë të jetojnë gjithmonë në bashkëpunim, harmoni e begati. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-greke!