Festivali i Gjirokastrës, spektakël me Olen Çezarin e Rona Nishliun

dsgdfgParakalim i vlerave më të mira folklorike, por edhe spektakël. Ky është premtimi i organizatorëve të edicionit të këtij viti të Festivalit të Gjirokastrës, që do të zhvillohet në datat 10- 16 maj. Përpos artistëve popullorë nga e gjithë Shqipëria, priten të marrin pjesë në festival edhe artistë me karrierë ndërkombëtare si Eda Zari, Olen Çezari, Rona Nishliu, grupi “Fanfara Tirana”.

Garës në skenë do t’ia zërë vendin spektakli muzikor në orët e vona të natës. Gjithashtu priten të ftuara edhe grupe europiane të muzikës folk. Prej disa muajsh, Gjirokastra përgatitjet për të mirëpritur rapsodë, interpretues e bartës të folklorit nga Shqipëria, të cilët do të konkurrojnë në një garë mes 12 qarqesh.

Në festival do të marrin pjesë shoqata dhe grupe folklorike të ftuar nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, arbëreshët e Italisë, Turqia, Greqia, Zvicra dhe SHBA. Paralelisht Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Monumenteve Kulturës-Gjirokastër, kanë nisur ndërhyrjet restauruese në skenë dhe në Kalanë e qytetit.

Organizatorët e Festivalit të Gjirokastrës 2015 kanë ideuar një spektakël gjithëpërfshirës, ku qyteti dhe festivalistë, qytetarë, turistë e të ftuar do të jetojnë për 24 orë një festë me muzikë folklorike, kostume, panaire, zeje tradicionale, ekspozita, projeksione filmash etj. Tashmë kanë përfunduar koncertet selektuese në të 12 qarqet e vendit, pas ekspeditave dhe hulumtimeve në terren në nivel komune, bashkie dhe rrethi sipas zonave etnografike.

Artistët u përkasin të gjithë brezave, nga më të rinjtë që trashëgojnë traditën e kërcimit dhe të kënduarit, tek më i moshuari, lahutari 105-vjeçar Gjok Nonaj. Ai do të jetë bartësi më i vjetër që këndon në një skenë festivali deri më sot, jo vetëm në Shqipëri, por në Europë e më gjerë.