Fjalimi ekzaltues i Kumbaros: 18 qershori është hera e parë edhe për mua sepse…

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka mbajtur një fjalim ekzaltues përpara të rinjve të qarkut Gjirokastër që votojnë për herë të parë në 18 qershor. Në takimin ku merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama, Kumbaro u tha të rinjve se edhe për atë 18 qershori ishte hera e parë, që voton si anëtare e Partisë Socialiste.

“Hera e parë është shumë e rëndësishme për të gjithë. Është hera e parë edhe për mua. Dhe e dini pse, hera e parë kur Edi Rama më ftoi katër vjet më parë për t’u bërë pjesë e një skuadre të jashtëzakonshme, që për të parën herë dinte të bënte një revolucion të madh në Shqipëri, atë të rilindjes së Shqipërisë. Për ju votues të herës së parë, dua t’ju them se jam edhe unë si ju. Për të parën herë unë votoj si anëtare e Partisë Socialiste.”, u tha Kumbaro të rinjve.

Por përveç votimit për herë të parë si anëtare e PS-së, për Kumbaron kjo është hera e parë gjithashtu që kandidon për deputete, ndonëse zyrtarizimi i listave të PS-së nuk është bërë ende. Në vijm të fjalës së saj ajo tregon momentin kur Rama e ftoi katër vjet më parë të bëhej Ministre e Kulturës.

Katër vjet më parë kur ju përgjigja kësaj sfide, i thashë Edi Ramës: “Është përgjegjësi shumë e madhe”. Dhe e dini si më tha: “S’ke parë gjë akoma”. Dhe në fakt ju sot po më tregoni se ende s’e kishim parë dhe s’e kishim kuptuar sa e madhe është forca juaj e herës së parë”, u shpreh Kumbaro.

Më tej ajo vuri theksin të investimet në qarkun Gjirokastër përmes programit të “Rilindjes Urbane”.

“Qarku i Gjirokastrës sot është prova më e mirë sesi programet tona të zhvillimit që bëhen për herë të parë në Gjirokastrës, e kanë kthyer “Rilindjen Urbane në slloganin e Gjirokastrës ku thuhen të tëra. Ne sot do t’i themi të tëra. Gjirokastra është zemra e “Rilindjes Urbane”, me pasuritë që na lanë të parët dhe që ne do t’i kthejmë në motor zhvillimi për të ardhmen. Sot që flasim në qarkun e Gjirokastrës kemi 6 kantiere, ndërsa për të parën herë hapet edhe kantieri i shtatë në Libohovë”, tha Kumbaro duke shtuar gjithashtu se në Bashkinë Dropull do të nisë shumë shpejt një projekt madhor në fushën e energjisë.

Në fund ajo përmendi edhe reformën në arsim, të cilën e cilësoi si “zemra” e reformave që do të na çojë përpara.

“Investimi më i madh është reforma në arsim. Ju duhet të bëheni të zotët e vetes. Shqipëria s’ka nevojë për diploma pa vlerë”, u shpreh ministrja e Kulturës.

/ArgjiroLajm.net/