Flamur Golemi komenton listën e PD-së: Humbësit u bënë bashkë për të humbur sërish

Kandidati për deputeti i PS-së në Gjirokastër, Flamur Golemi ka komentuar zyrtarizimin e listës së kandidatëve të Partisë Demokratike. Përmes një mesazhi të postuar në faqen e tij në Facebook, ai ironizon duke thënë se nga veriu në jug janë mbledhur bashkë gjithë humbësit për të humbur sërish.

“Jo se mund të pritej ndonjë surprizë nga zyrtarizimi i listave të opozitës, por të paktën nuk i shkonte ndërmend njeriut të bëheshin bashkë të gjithë humbësit nga veriu në jug. Kuptohet, për të humbur sërish. Vota për opozitën dhe çdo parti tjetër është votë e çuar dëm. Ftoj demokratët e zhgënjyer dhe çdo qytetar tjetër t’i bashkohen Partisë Socialiste. Në 25 qershor do të marrim një fitore historike për Gjirokastrën që duam, për Shqipërinë që duam”, shkruan Golemi.

Në qarkun Gjirokastër Partia Demokratike kandidon Tritan Shehun, Roland Bejkon, Kosta Barkën dhe Besnik Aliajn.