Flamur Golemi takim në Kolonjë: Asnjë votë për ‘deputetin e celularit’, asnjë votë për ‘çadrën’. PS qeveris e vetme pas 25 qershorit

Gjatë një takimi elektoral në fshatin Kolonjë, kandidati për deputet i PS-së, Flamur Golemi, ka thënë se në 25 qershor Shqipëria do të çlirohet përfundimisht nga qeverisja me dy “timonierë”.

Sipas tij PS do të qeverisë e vetme për të udhëhequr reformat për të bërë shtet, për të rritur punësimin dhe për të krijuar mirëqënie.

Edhe në këtë takim, Golemi nuk harroi të sulmonte Vangjel Tavon dhe kandidatët e PD-së, ndonëse nuk i përmendi me emër.

“Problemet tona nuk zgjidhen nëse mbajmë mend përmendësh numrin e telefonit të deputetit. Problemet tona nuk zgjidhen nëse vazhdojmë t’u besojmë atyre që u kemi dhënë votën prej 20 vitesh dhe sot sillen sikur s’kanë qenë kurrë në pushtet, sot nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Vota për “deputetin e celularit”, “deputetët e çadrës” apo për çdo alternativë tjetër veç Partisë Socialiste është votë e çuar dëm”, thotë Golemi teksa publikon edhe videon nga takimi.

/ArgjiroLajm.net/