Frika nga zjarret dhe mungesa e ujit, mblidhet ‘Task Forca’ në Gjirokastër

Në kuadër të masave për stinën e nxehtë, prefektura e Gjirokastrës ngriti sot grupin “Task Force”. Prefekti Flamur Bime kërkoi  angazhim të të gjitha strukturave shtetërore, por edhe ndërgjegjësimin dhe mirëkuptimin qytetar për të përballuar këto ditë me temperatura të larta.

“Task Forca, gjatë gjithë stinës së verës do të drejtojë, organizojë, koordinojë dhe monitorojë gjithë punën me strukturat përgjegjëse. Duhet reagim i menjëhershëm me këtë thatësirë”- është shprehur Bime.

Nënprefekti i Tepelenës Avni Lala dhe ai i Përmetit Anastas Anaqe e kanë vënë theksin tek reduktimi i burimeve ujore të cilat po bëhen shkak që këto bashki të furnizohen me orare të redukutuara.

Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rame ka ngritur si shqetësim mungesën e një automjeti zjarrëfikës për zonën muzeale.

“Task Forca” e prefekturës do të jetë në gatishmëri për cdo problematikë që banorët e qarkut të Gjirokastrës do të kenë në këto ditë me temperatura të larta.