“From Gjirokastra – Made in Gjirokastra”, projekt i FLE për suveniret dhe punësimin e të rinjve

yllFondacioni për Liri Ekonomike (FLE) prezanton të mërkurën projektin “From Gjirokastra – Made in Gjirokastra”. Ceremonia do të organizohet në orën 18:00 në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, ku të pranishëm do të jenë një sërë personalitetesh me origjinë nga Gjirokastra, por edhe të tjerë që pritet të jenë kontributorë në këtë projekt. FLE synon që përmes këtij projekti të promovojë prodhimin e suvenireve me motive nga qyteti i Gjirokastrës, duke nxitur kështu edhe punësimin e të rinjve në fushën e trashëgimisë kulturore. Projekti është një bashkëfinancim i FLE dhe Agjensisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), ndërkohë që partner tjetër është edhe Fondacioni “Gjirokastra”.

Përmes këtij projekti do të mundësohet gjallërimi i traditës së prodhimit duke shtuar elementë të rinj bashkëkohorë në prodhime me cilësi të cilat mbartin dhe vlera të aspekteve e elementëve të trashëgimisë kombëtare, nxitja e debatit mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore si industri potenciale për Gjirokastrën. Pas prezantimit në UET, projekti vijon më tej me faza të tjera. Kështu pritet që në fund të muajit shtator në Gjirokastër të organizohet debati mes studentëve, mbi temën “Praktika më e mirë e Menaxhimit të Trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Shteti apo Privati?!”

Pas përfundimit të Këtij aktiviteti, do të përzgjidhen 4 studentë të cilët do të botojnë në një gazetë kombëtare nga një artikull për një çështje të zgjedhur nga ata vetë në lidhje me trashëgiminë kulturore. Më tej, në kuadër të këtij projekti do të organizohet edhe konkursi “Suvenir Gjirokastra”, ku do të përzgjidhen 20 artistë krijues në fushën e dizenjimit për artizanatin. Nga këto punime do të vlerësohen me çmim tre vendet e para. Më pas nis prodhimi i këtyre suvenireve të dizajnuara prej të rinjve dhe promovimi i tyre në stendat e dyqaneve të pazarit karakteristik, mediat kombëtare e lokale, si dhe në mediat sociale. Pritet që në ceremoninë e prezantimit të këtij projekti të jenë ministrat Ahmetaj, Veliaj dhe Kumbaro, kryebashkiaku i Gjirokastrës, rektori i Universitetit “Eqerem Çabej” dhe shumë personalitete të tjerë që kanë lidhje me Gjirokastrën, fushën e trashëgiminë kulturore, turizmin dhe promovimin e vlerave tona kombëtare.