Gazi i Shomos nga Suha, makina e rrallë që i ka rezistuar kohës (Foto)

 Gazi i Shomos nga Suha, makina e rrallë që i ka rezistuar kohës (Foto)

1531756_795243530502666_1037544021_nNëse dikush merr rrugën për një udhëtim në Libohovë dhe fshatrat rreth saj, për të parë atraksionet turistike të kësaj zonë, ju rekomandojmë të ndaleni me patjetër në fshatin Suhë. Edhe nëse shkoni në Labovën e Kryqit për të parë nga afër kishën e Shën Mërisë, gjeni pak kohë për t’u kthyer në Suhë. Në këtë fshat do të gjeni një makinë të vjetër, që sot zor se e gjen në vend tjetër të Shqipërisë. E vjetër sepse mban mbi supe shumë vite, por jo se s’është në gjendje pune. Thoma Mero, apo Shomua siç e njohin shumica e banorëve të zonës dhe krejt rrethit të Gjirokastrës, ruan me fanatizëm prej 60 vitesh një makinë tip Gaz.

Makina për gjithë këto vite s’ka lënë cep të Shqipërisë pa shkelur, pasi është përdorur asokohe edhe për gëzime të ndryshme familjare. Sa e sa nuse janë marrë nëpërmjet kësaj makine, sa e sa njerëz kanë udhëtuar me të. Pavarësisht viteve, sot makina është në gjendje funksionale. Shomua ia kryen vazhdimisht shërbimet e nevojshme për ta mbajtur atë në gjendje pune, edhe pse për hir të së vërtetës është shumë e vështirë të gjesh pjesë këmbimi për këto modele automjetesh, të cilat në kohën e komunizmit kishin “pushtuar” Shqipërinë. Pas viteve ’90 makinat tip Gaz dolën nga qarkullimi dhe pjesa më e madhe e tyre përfunduan në Metalurgjikun e Elbasanit ku u shitën për skrap. Ndërkohë, Thoma Mero është nga të paktët njerëz, ndoshta i vetmi në Shqipëri, që e ruan si “sytë e ballit” këtë makinë, me të cilën e lidhin shumë kujtime dhe vite të jetës së tij. Edhe pse i janë afruar shumë njerëz për t’ja blerë si relike apo edhe për skrap, Shomua as që e ka çuar ndërmend diçka të tillë.

Kujtoni pak çfarë ndodhi me avionin e Xhorxho Riformatos në Divjakë, apo “avioni i drogës” siç e njohin shumica. Për muaj të tërë ai ngjalli kureshtje për shumë qytetarë, të cilët përditë zbarkonin në plazhin e Divjakës për ta parë nga afër këtë mjet dhe thjesht për të shkrepur një foto. Madje arriti puna deri aty sa edhe pjesë e një klipi dasme u regjistruan rreth këtij avioni. Padiskutim që edhe makina e Shomos në fshatin Suhë, mund të kthehet në një destinacion për të mos u anashkaluar nga vizitorët vendas dhe të huaj që ka zona e Libohovës. Thjesht, me pak promovim dhe përfshirjen në guidat turistike, kjo makinë mund të jetë po aq interesante për sytë e njerëzve sa edhe destinacione të tjera turistike që ka kjo zonë. Makina që i ka rezistuar viteve falë përkushtimit dhe fanatizmit me të cilin e ruan Thoma Mero, përveçse një automjet i vjetër për nga mosha, është mbi të gjitha një relike me shumë vlerë, që dëshmon për një periudhë të caktuar kohe, për një mënyrë të menduari, për një mënyrë të organizuari të jetës, për një mentalitet. Si e tillë, ajo mbart vlera të jashtzakonshme dhe pse jo, kushdo që lexon këtë shkrim, në momentin më të parë që t’i jepet mundësia të shkojë ta vizitojë këtë Gazin e Shomos.  

shomo

1531756_795243530502666_1037544021_n

Libohova Online