Gazmend Çulla zgjidhet kryetari i ri i PS Libohovë

Socialistët vijojnë zgjedhjen e kryetarëve të rinj të degëve lokale të partisë. Një ditë më parë u zhvilluan zgjedhjet në bashkitë Dropull e Libohovë sipas parimit një anëtar një votë. Për Dropullin u zgjodh kryetar Kosta Garo, ndërsa për Libohovën Gazmend Çulla.

Ky i fundit prej vitit 2015 kur PS mori drejtimin e Bashkisë Libohovë ka mbajtur postin e administratorit të Njësisë Administrative Qendër Libohovë.

Ndërkohë deri më tani PS Libohovë drejtohej nga Arbër Kënaçi. Procesi zgjedhor në të gjithë vendin pritet të përfundojë brenda datës 15 janar. Socialistët do të mbledhin kongresin më 29 shkurt. Gjasat janë që të mos ketë zgjedhje të parakohshme as këtë vit, por gjithçka pritet të shkojë sipas afatit kushtetues në qershor 2021.

Mbetet për t’u parë nëse Gjykata Kushtetuese do të rrëzojë apo jo zgjedhjet lokale të 30 qershorit ku opozita (PD-LSI) nuk mori pjesë.