Gjirokastër, 4 çifte patash nisin një jetë të re në Liqenin e Viroit (FOTO)

Liqeni i Viroit në Gjirokastër është populluar sot me 8 pata. Në mënyrë simbolike ato janë lëshuar në ujërat e liqenit nga zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maqellari, rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Bektash Mema dhe përfaqësuesja e PNDU në Shqipëri, Limya Etayb.

Kjo familje patash që do të pasohet nga të tjera më vonë deri në popullimin e plotë të liqenit nëse konstatohet se ato do të reagojnë mirë në këtë habitat.

Historikisht liqeni i Viroit ka patur pata, por me kalimin e viteve ato janë zhbërë për shkak të rritjes së nivelit të klorit në ujë dhe tharjes së liqenit.  Sidoqoftë paraprakisht ekspertët kanë thënë se patat pritet të reagojnë mirë dhe të përshtaten në ujërat e Viroit. Për to do të kujdesen edhe administratorët e dy lokaleve që janë aty pranë.

Më herët gjatë ditës në Universitetin e Gjirokastrës u nënshkrua një marrëveshje mes këtij universiteti, Universitetit Politeknik të Tiranës, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe UNDP. Synimi është të krijohet një ekspertizë për disa habitate të ndryshme, zona të mbrojtura ose jo, për ta shndërruar biodiversitetin në atraksion turistik.